Ballina

Haziri (LDK): Jemi kontaktuar për Marrëveshjen e Uashingtonit

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin “Debat Përnime” ka folur për Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila u nënshkrua nga Avdullah Hoti më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, që asokohe ishte në mandatin e parë presidencial.

Ai bëri të ditur se janë kontaktuar në lidhje me këtë marrëveshje, e cila sipas tij, po riaktualizohet me rikthimin e Trumpit në krye të SHBA-së.

“LDK e ka të qartë dhe është kontaktuar nga këto nivele … Ne po presim që roli jonë të jetë determinues në riparimin e dëmeve që ka shkaktuar edhe draft-dokumenti i zotëri Kurtit që është në tavolinë, [përkatësisht] Marrëveshja Kornizë e 28 shkurtit 2023”- tha Haziri.

Për më tepër, ai theksoi se “ne po presim që ta zbardhin deri në fund këtë qëndrim”, duke u shprehur optimist për një trajtim të mundshëm të këtij dokumenti nga ana e Qeverisë së Kosovës nëse i fitojnë zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Haziri vuri në dukje se “hapi i dytë është koordinimi me BE-në”, i cili është një element kyç për implementimin e marrëveshjes, duke theksuar se “do të ndodhë një koordinim mes SHBA-së dhe BE-së sa i përket kësaj çështje”.

Ndër të tjera, ai tha se “(ish) presidenti Joe Biden e ka konfirmuar dhe legalizuar Marrëveshjen e 4 shtatorit si dokument i cili ka fjetur në Shtëpinë e Bardhë 4 vite, për shkak se në radhë të parë Kosova e ka përjashtuar si mundësi implementimin e saj”, tha ai.

Haziri potencoi se ky dokument ka një fokus më të theksuar në aspektin ekonomik të normalizimit të marrëdhënieve, sesa në atë politikë.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë  pa asnjë njohje të vetme”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-agjenci-per-mergaten-rikthim-te-ministrise-per-integrime-dhe-moszbatim-te-marreveshjes-se-ohrit/