Ballina

Lushaku-Sadriu (LDK): Sanksionet nga BE-ja, shkak i gjuhës së pamatur të Albin Kurtit

Kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e bëjnë përgjegjëse Qeverinë Kurti për sanksionet që i janë vënë Kosovës nga ana e Bashkimit Europian.

Jehona Lushaku-Sadriu ka bindjen se Kosova ka arritur në këtë pikë shkaku i gjuhës dhe moskoordinimit të kësaj qeverie me BE-në.

“Kjo qeveri për shkak të gjuhës që ka përdorur ndaj shteteve anëtare të BE-së dhe për mospasjen e një koordinimi në mes këtyre shteteve dhe institucioneve të BE-së, si dhe gjuhës që ka përdorur edhe karshi dialogut, ka cenuar dhe e ka sjellë Kosovën në një pozitë ku jemi vendos në listën e të sanksionuarve”- tha Lushaku-Sadriu, në “Debat Përnime”, më 29.01.2025.

Këto sanksione, sipas saj, i kanë sjellë Kosovës humbje prej “qindra miliona eurove”, si dhe mungesë të investimeve kapitale dhe infrastrukturore.

“Duhet të jetë shumë e qartë për qytetarët, një gjuhë e pamatur e një kryeministri i ka humbë qindra miliona euro të BE-së”- tha ajo.

Madje lidhur më këto sanksione, Lushaku- Sadriu përmendi edhe humbjen e shumë investimeve nga BE-ja për reformat në drejtësi.

“Imagjinojeni Kosova ka marrë deri në 60 milionë euro për vit për reformat gjyqësore. Nuk i ka më”- tha ajo.

Ndërsa, Lutfi Haziri, tha se do të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat e politikës së jashtme dhe të gjitha kanalet tjera për ta rikthyer besimin e partnerëve ndërkombëtarë më qëllim të përmirësimit të imazhit të Kosovës.

“Do të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat në politikën e jashtme, që përfshinë edhe diplomacinë parlamentare dhe të gjitha kanalet tjera politike, për ta rikthyer besimin i cili është dëmtuar seriozisht, një imazh i cili Kosovën e kthen në një pamje krejt tjetër që e ka pas. Për shkak se kjo politikë- pa vizion, jo që krijoi raporte konfliktuoze, në shumë raste me partnerët strategjikë dhe me vendet partnere, por krijoi edhe një raport të ri në dekadën e re. Kjo politikë tashmë është në marrëdhënie të kushtëzuara dhe raportet me institucionet e BE-së, SHBA-në dhe NATO-n janë në pikën më të ulët”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë  pa asnjë njohje të vetme”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-agjenci-per-mergaten-rikthim-te-ministrise-per-integrime-dhe-moszbatim-te-marreveshjes-se-ohrit/