Ballina

A do të shkarkohet ambasadori Martin Berishaj nëse LDK-ja rikthehet në pushtet?

Me synim të rikthimit në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zotohet për ndërtimin e një politike të jashtme të qëndrueshme dhe krijim të raporteve të mira me shtetet mike të Kosovës.

Krahas kësaj, kandidatët për deputetë nga kjo parti, thonë se do të kujdesen që njerëzit që do të ngarkohen me përgjegjësinë për ta përfaqësuar Kosovën në diplomaci të jenë sa më kredibil.

Kandidati për deputet, Lutfi Haziri, ka deklaruar në “Debat Përnime”, më 29.01.2025, se me “ardhjen e LDK-së në Qeveri”, qysh në ditën e parë do të ketë veprime për shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj dhe të gjithë atyre që kanë telashe me ligjin.

“Definitivisht, në ditën e parë njerëzit që kanë pasur probleme me ligjin, njerëzit që janë përfshirë në nivele rajonale, kurdisje tenderësh. Kosova nuk lejon të përfshihet në raporte të këqija”- tha Haziri, kur u pyet nëse do ta shkarkojnë Berishajn, po që se vijnë në pushtet.

Haziri tha se nuk ka pas ndonjëherë diplomaci më të politizuar se kjo që ka qenë në mandatin e Qeverisë Kurti 2.

“Diplomaci me të politizuar Kosova nuk ka pasur asnjëherë. Një diplomaci në shërbim të një partie politike e cila përfshihet në raste të veçanta në tubime politike për një subjekt politik, për dy parti politike që janë në krye të Qeverisë. E deri në pikën që ambasadori i Kosovës është i përfshirë në skandalin energjetik në Slloveni”- tha ai.

Ndërkaq, kandidati tjetër Armend Zemaj, lidhur me mundësinë e shkarkimit të ambasadorit Martin Berishaj tha se kjo çështje “as nuk do duhej të diskutohej”.

“Mendoj se as nuk duhet të diskutohet shkarkimi i njerëzve të tillë, sidomos i këtij personi. Por hetimet duhet të fillojnë nga ajo që është marrë si temë bazë- nënshtetësia e tij, e pastaj rastet e tjera- tërheqja e milionave nga bankat”- tha Zemaj.

Zemaj përmendi edhe premtimin e kandidatit për kryeministër të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nuk do të ketë mbrojtje për individët e korruptuar, siç ka bërë Qeveria Kurti.

“Nuk do të ketë mbrojtje për njerëzit të korruptuar, ndërsa zotëri Kurti, Qeveria Kurti, deputetët e LVV-së me fanatizëm e kanë mbrojtur Martin Berishajn, e kanë mbrojtur Nagip Krasniqin dhe të tjerët në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe pse tani kemi aktakuza për krim të organizuar, tenderomani e shpërlarje parash”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë  pa asnjë njohje të vetme”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-agjenci-per-mergaten-rikthim-te-ministrise-per-integrime-dhe-moszbatim-te-marreveshjes-se-ohrit/