Ballina

Deliu-Kodra (PDK): Në raportet ndërkombëtare Kosova është zhvendosur shumë poshtë

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, në emisionin “Debat Përnime”, më 28.01.2025, ka folur për pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare përgjatë qeverisjes katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.

Ajo tha se Kosova gjatë kësaj periudhe është zhvendosur poshtë në raportet kredibile ndërkombëtare.

“Fatkeqësisht, raportet (ndërkombëtare), viteve të fundit kanë qenë raporte të cilat Kosovën e kanë zhvendosur shumë më poshtë në ranglistën e saj, si në Transparency International …”, ka deklaruar ajo.

Niveli në të cilin ka rënë Kosova në raport me partnerët ndërkombëtarë, sipas saj, shpërfaqet më së miri me gjendjen e ambasadave strategjike që i ka sot Kosova.

Deliu-Kodra përmendi edhe çështjen e mungesës së njohjes së Kosovës nga shtetet që nuk e kanë njohur si dhe mungesën e vizitave të rëndësishme të partnereve strategjikë në Kosovë.

“Kosova si një shtet i ri, për katër-pesë vite nuk ka as edhe një njohje të vetme. Ne nuk mund ta vazhdojmë rrugëtimin tonë të fuqizimit të shtetit tonë në rast se nuk bashkërendojmë me partneret tonë. Kosovës i kanë munguar vizitat e rëndësishme të partnereve strategjik të saj”- tha ajo.

Se si kanë qenë raportet e Kosovës me SHBA-në, për gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, sipas kandidates Deliu-Kodra, tregojnë vetë mungesat e vizitave të kryeministrit Kurti në SHBA.

“Është shumë e thjeshtë: cila ka qenë vizita e parë dhe e fundit në Shtëpinë e Bardhë e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit qeverisës? A ka ndodhë në të kaluarën që të kalohen dy vite të qeverisjes ku ne nuk kemi pasur shkëmbime, vizita të rëndësishme në Departamentin amerikan [të Shtetit], në Shtëpinë e Bardhë, në institucionet e rëndësishme të SHBA-së, për të koordinuar të ardhmen tonë euroatlantike”- tha Deliu-Kodra.

Në debat u diskutua edhe mungesa e anëtarësimeve të shtetit në organizata ndërkombëtare.

“Në fund të vitit 2022 kemi pasur procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ka qenë një aplikim që është bërë nga kryeministri Albin Kurti. Tash jemi në vitin 2025. Shiheni vetëm rrugën integruese të Kosovës ku është sot. Në takimet tona me partnerët tonë të BE-së, vërejtjet të cilat i ka marrë Kosova kanë qenë vërejtje që ne po e humbasim të ardhmen tonë të integrimit në BE”- u shpreh Deliu-Kodra.

Përveç kësaj u diskutua edhe vlerësimi që ka bërë Raporti i Progresit për Kosovën, që sipas saj, ky raport tregon për nivelin e korrupsionit që aktualisht është në Kosovë.

“Mbi 52 herë në Raportin [e Progresit] për vendin përmendet fjala nivel i mesëm i korrupsionit, niveli i lartë i korrupsionit. D.m.th mbi 52 herë ky raport i referohet institucioneve të Republikës së Kosovës të cilat ende përballen me nivel të korrupsionit, të cilin duhet ta adresojnë në mënyrë që ne ta kemi të ardhmen tonë evropiane të sigurtë”- thotë ajo.

Pa kritika nuk kaloi as qasja e komplet kabinetit qeveritar ndaj institucioneve të drejtësisë dhe mediave, që sipas Deliu-Kodra, thuhen “troç” edhe në Raportin e Progresit.

“Ne nuk mund ta konsolidojmë drejtësinë, nëse Qeveria me mediat, gjyqësorin, me institucionet e drejtësisë ka një qasje të tillë dhe kur një kryeministër del e deklarohet se nuk do të shkoj [për të dëshmuar], madje [thotë] le të vjen vet prokurori e ta merr [në pyetje] në zyrën e tij”- tha Deliu-Kodra.

“Stërkeqja” më e madhe e pushteteve, sipas Deliu-Kodrës, ka ndodhur në mandatin e Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se gjatë këtij mandati mbi 10 herë është shkelur Kushtetuta e Kosovës.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë  pa asnjë njohje të vetme”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/fuqizimi-i-marredhenieve-me-aleatet-shtimi-i-njohjeve-dhe-anetaresimet-zotimet-e-pdk-se-per-politiken-e-jashtme/