Ballina

Abdixhiku premton 80 milionë euro investime në Brezovicë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 27.01.2025 ka vizituar Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Ai ka prezantuar projektin e LDK-së para komunitetit të skitarëve e dashamirëve të Brezovicës.

Sipas Abdixhikut, Brezovica ka mbetur peng i guximit për të investuar.

Ndërsa ka premtuar 80 milionë euro për teleferikë të rinj, gondola e shtigje të reja.

“Brezovica ka mbetur peng i guximit për të investuar. Do të investojmë! Edhe atë fort e shumë. Plot 80 milionë euro në programin tonë janë paraparë të ndahen për Brezovicën, për teleferikë të rinj, gondola e shtigje të reja; pa përfshirë këtu investimet private në komplekse hotelierike e mirëmbajtje, që tejkalojnë këtë shumë më pas”- është shprehur ai.

Ndërsa ka shtuar se do të kujdeset personalisht, si kryeministër, të mbikëqyrë këtë investim ikonik për Kosovë.

Më 27.01.2025 LDK do ta vazhdoj fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit me një tubim me qytetarët në Ferizaj.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.