Ballina

Shkak i aksidentit në Çubrel dyshohet se ishte mospërshtatja e shpejtësisë së veturës së Policisë

Aksidenti i cili shënoi tre viktima, më 26.01.2025, i cili u regjistrua në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë në fshatin Çubrel, në ora 18:40 po dyshohet se u shkaktua nga mospërshtatja e shpejtësisë së veturës së Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku, ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i Policisë dhe një veturë civile.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke iu bashkëngjitur edhe ekipeve të tjera policore dhe Prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të Policisë, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

Si pasojë e aksidentit tre persona të cilët kanë qenë në veturën civile, një burrë dhe dy gra, kanë vdekur.

Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile, të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

“Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të Policisë në momentin e aksidentit, përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorin kompetent.” – thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.

KALLXO.com raportoi në lidhje me aksidentin që u shënua mbrëmë, më 26.01.2025.

https://kallxo.com/lajm/aksidenti-me-tre-te-vdekur-ne-cubrel-te-skenderjat-kater-police-dhe-nje-qytetar-me-lendime-te-renda/