Ballina

Aksident trafiku në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, lëndohen katër persona

Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt.

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë Rajonale të Ferizajt njofton se të lënduar kanë mbetur katër persona.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:00 të 26.01.2025.

“Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes” – deklaroi Veseli për KALLXO.com.

Tutje ai thotë se të lënduarit janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim mjekësor.

Automjetet e përfshira kanë pësuar dëme materiale.

“Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit” – thotë Veseli.