Ballina

Koalicioni për Familjen premton Vetting në Polici dhe rritje të buxhetit për FSK-në

Kandidatët për deputetë nga Koalicioni për Familjen, në emisionin “Debat Përnime”, me 26.01.2025, kanë shpalosur programin e tyre për siguri, drejtësi, arsim, ekonomi e shëndetësi.

Bejtush Gashi, gjatë prezantimit të programit për fushën e sigurisë tha se me ardhjen e tyre në pushtet, në fokus do të kenë kthimin e dinjitetit të zyrtarëve të uniformës që garantojnë sigurinë e Kosovës.

Nga Koalicioni për Familjen, premtohen reforma në Policinë e Kosovës, në aspektin e kuadrove dhe digjitalizimin e dhënies së shërbimeve nga ky institucion i rëndësishëm.

“Fokusi jonë sidomos te rendi dhe siguria do të përqendrohet tek reforma e Policisë së Kosovës, e cila ka nevojë në aspektin e kuadrove që të reformohet, ndërsa të digjitalizohet në aspektin e shërbimeve, të ulë fatkeqësitë në komunikacion, të rrit komunikimin me qytetarët dhe të ngrit shkallën e besueshmërisë”- tha Gashi.

Ndërsa në fazën e parë, sipas tij, vëmendje do t’i kushtohet sigurimit shëndetësor dhe ngritjës së mirëqenies për policët.

“Fokusi do jetë në fazën e parë për me i zgjidh disa probleme që ky institucion përballet; sigurimi shëndetësor, ngritja e mirëqenies së zyrtarëve të uniformës, pa përjashtim dhe familjes së tyre të cilët jetojnë dhe varën prej kësaj page”- tha Gashi.

Koalicioni për Familjen përmes fuqizimit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike do të ofrojë shërbime për trajnime të përhershme për zyrtarët policorë me qëllim të adaptimit të nevojave të këtij sektori, si dhe ofrim të arsimimit të avancuar për policët.

Reforma e parë që do të bëhet në Policinë e Kosovës, sipas tij, do të jetë Vetting-u.

“Reforma në Policin e Kosovës do filloj prej Vetting-ut, përkatësisht hetimit të së kaluarës për të gjithë pa përjashtim. Sipas ligjit dihet cilat pozita duhet t’i nënshtrohen këtij procesi. Dhe, në të njëjtën kohë, sigurimi jetësorë. Ligji është në proces andaj edhe këtë çështje do ta adresojmë dhe do angazhohemi që ky ligj do të kalojë”- tha ai.

Tutje, kandidati Gashi, premtoi se me ardhjen e tyre në pushtet nuk do të ketë ndërhyrje operacionale në institucionin e Policisë së Kosovës, siç pretendon ai se është bërë nga Qeveria aktuale, pasi që ministria e ka për detyrë hartimin e politikave dhe strategjive sipas tij.

Pa u diskutuat nuk mbeti as çështja e policëve serbë që dhanë dorëheqje në vitin 2022, duke i dorëzuar uniformat e Policisë së Kosovës.

“Ka procedura të kthimit. Ata që i kanë shkel të gjitha procedurat do t’i nënshtrohen hetimit të kaluarës së tyre dhe gjithë ata që nuk kanë qenë të involvuar në aktivitete kriminale që janë zhvillu në ato komuna do t’i nënshtrohen procedurave që parashihen me akte ligjore dhe në të njëjtën kohë do t’u jepet mundësia që të rikthehen në uniformën e Policisë së Kosovës”- tha ai.

Ndërsa, për Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK), ky koalicion premton rritje të buxhetit si dhe krijim të parakushteve për raporte më të mira me misionin ndërkombëtarë.

“Në Forcën e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojmë me intensitet për të rritur buxhetin për këtë institucion dhe në të njëjtën kohë do të përmbushet procedura e obligimeve, përkatësisht planit gjithëpërfshirës në fushën e mbrojtjes. Në të njëjtën kohë të dinamizohet dhe të krijohet një parakusht për raportet më të mira me pranin e misionit ndërkombëtar në Kosovë”- është shprehur Gashi.

Pjesë e rëndësishme e sektorit të sigurisë, pa dyshim janë edhe zjarrfikësit. Koalicioni për Familjen zotohet se do përmirësoj kushtet e kësaj kategori, jo vetëm në aspektin e rritjes së pagave, por edhe në rekrutimin e zyrtarëve të rijnë.

“Do të angazhohemi që të krijohen kushtet dhe në të njëjtën kohë të rritet numri i atyre që punojnë në këtë shërbim. Jo vetëm pagat dhe nevojat elementare që këto struktura kanë, por edhe të pranohen zyrtarë të rijnë në shërbimin zjarrfikës …”- tha ai.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. 

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com. 

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/futja-e-lendes-fetare-ne-shkolla-ndalimi-i-martesave-te-gjinise-se-njejte-dhe-krijimi-i-ministrise-per-banim-planet-e-koalicionit-per-familjen/