Ballina

Abdixhiku në Shtime: 5 miliardë euro investime me 5 për qind rritje ekonomike është zotimi ynë për programin më të kompletuar në histori

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, e ka vazhduar fushatën elektorale më 25.01.2025 në Shtime.

Sipas tij, LDK vjen në këto zgjedhje me listën më të mirë për të ardhmen e vendit, me njerëz të pastër dhe me përvojë, me gra e burra të dëshmuar dhe të përgatitur, dhe me profesionistë me integritet që e kanë dijen dhe guximin ta udhëheqin Kosovën drejt Europës.

Ai është zotuar për 5 miliardë euro investime me 5 përqind rritje ekonomike.

“5 miliardë euro investime me 5% rritje ekonomike! Ky është zotimi ynë për realizimin e programit më të kompletuar dhe më ambicioz në historinë e vendit, me projekte e iniciativa konkrete, të mirëmenduara dhe të arritshme që i adresojnë nevojat dhe pritshmëritë e të gjithë qytetarëve të Kosovës”- ka thënë ai.

“Me ekipin tonë të ëndrrave dhe me programin ‘Rruga e Re’, ne do ta ndërtojmë Kosovën e zhvilluar, të drejtë dhe të barabartë me vendet e tjera në familjen e madhe Europiane”- ka shtuar ai.

Abdixhiku më 25.01.2025 ka mbajtur tubim edhe në Krushë të Madhe dhe Rekë të Keqe në Gjakovë.

“Në këtë fshat të vogël me njerëz të ndershëm e punëtor, ndamë vizionin tonë me projekte për zhvillimin ekonomik të vendit, dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për çdo familje në Kosovë”- ka thënë ai.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.