Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa, në emisionin “Debat Përnime”, më 25.01.2025, ka premtuar se me ardhjen e tyre në pushtet në fokus të veçantë do jetë transformimi i ndërmarrjeve publike.
Një nga ndërmarrjet që pritet të ketë transformim nga “ardhja e PDK-së në pushtet”, sipas Beqës, është KUR Gjakova.
“Ndërmarrja KUR-Gjakova është ndërmarrja e ujit të pijes. Ajo ndërmarrje ka shumë kapacitete, por nuk janë shfrytëzuar. Dhe, një hap i rëndësishëm që ndikon në zhvillim ekonomik është të zgjerohet ndërmarrja me qëllim që të furnizojë me ujë të pijshëm edhe Komunën e Suharekës dhe Komunën e Malishevës”- tha Beqa.
Në vazhdën e transformimeve pritet të jetë edhe Ndërmarrja KUR- Radoniqi, e cila, sipas tij, ndihmon edhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Projekti tjetër që është përmendur edhe me herët nga Partia Demokratike, është edhe ai për Lepencin, që sipas, Beqës është i gatshëm prej viti 2010 nga Banka Botërore, mirëpo s’ka pasur vullnet për jetësim të tij.
“Ka qenë një projekt i Bankës Botërore që është Lepenci. Projekti është punuar prej vitit 2010 dhe ndikon për atë pjesë të Kosovës. Ndikon jashtëzakonisht në zhvillim ekonomik, sepse përveç që ndikon në ujë të pijshëm, gjeneron edhe energji elektrike përmes hidrocentraleve”- tha ai.
Projekti për Lepencin, sipas planit të PDK-së, pritet të kushtoj rreth 400 milionë euro dhe punimet në të do nisin qysh vitin e parë të mandatit.
“Partia Demokratike e Kosovës e sheh që në vitin e parë me nisë si projekt, por në koordinim me studimin që është bërë nga Banka Botërore. Por, në mandatin e Bedri Hazmës kjo pjesë duhet të jetë gati finale sepse është një projekt diku rreth 400 milionë, por ndoshta tani është rritë vlera”- tha ai.
Përveç kësaj, Partia Demokratike zotohet se hapa konkret do të ketë edhe në ndërtimin e hekurudhës mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.
“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:
https://kallxo.com/gjate/investime-kapitale-miliardeshe-dhe-lehtesira-tatimore-per-bizneset-plani-i-pdk-se-per-zhvillimin-ekonomik/