Kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në emisionin “ Debat Përnime”, më 25.01.2025, kanë shpalosur disa nga planet e programit të tyre zgjedhor për fushën e ekonomisë.
Në kuadër të debatit ndër tjera u diskutua çështja e “oligarkëve”, term ky që jo rrallëherë po gjen vend në fjalimet e kryeministrit aktual, Albin Kurti.
Arben Mustafa, lidhur më këtë çështje tha se janë “absolutisht kundër kësaj gjuhe”.
Madje për dallim nga partia në pushtet që disa biznesmen po i konsideron si të tillë, Mustafa thotë se bizneset janë një sektor shumë i rëndeshim në krijimin e të hyrave për familjet në Kosovë dhe për mbushjen e arkës së shtetit- nga e cila më pas përfitojnë pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës.
Tutje, kandidati Mustafa, diskursin që qeveria e Vetëvendosjes e ka përdorur karshi sektorit privat e quan armiqësor. Në këtë kontekst, ai kritikon mungesën e bashkëpunimit të qeverisë me këtë sektor.
“Diskursi i kësaj qeverie ndaj sektorit privat ka qenë armiqësor. Që nga ardhja e kësaj qeverie ne nuk kemi parë asnjë komunikim me bizneset. Është qeveria e parë që ka pasur Kosova ndonjëherë dhe e vetmja në rajon dhe më gjerë që nuk komunikon me bizneset. Nuk ka mundësi sot në këtë kohë të kemi zhvillim ekonomik pa zhvillim të sektorit privat. Dhe nëse ne e konsiderojmë biznesin si palë të kundërt me shtetin, atëherë kemi problem të madh”- ka thënë ai.
Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se nuk ka mënyrë tjetër për të pasur zhvillim ekonomik shteti, përpos duke e ndihmuar fuqizimin e sektorit privat.
“Shtylla e parë e programit është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Në kuadër të kësaj shtylle kemi një pako të fuqishme të mbështetjes së biznesit dhe krijimit të kushteve në të bërit biznes”- tha Mustafa.
Ndër të tjera, ai foli edhe për ndikimin e politikës në sektorin privat, ku sipas tij, Kosova ka Autoritetin e Konkurrencës dhe nuk duhet të ndërhyhet nga ana e politikës “sepse një gjë e tillë është e rrezikshme”.
“Politikanët nuk do duhej të merren me një çështje të tillë (se a ka kartele). Do të ishte e rrezikshme për sektorin privat që politikanët të japin konstatime të tilla se kush po bën kartele apo përcaktim të çmimeve”- tha ai.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.
“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/investime-kapitale-miliardeshe-dhe-lehtesira-tatimore-per-bizneset-plani-i-pdk-se-per-zhvillimin-ekonomik/