Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i konsideron biznesmenët si patriotë të ditëve të sotme.
Këtë e tha kandidati për deputet nga kjo parti, Sokol Havolli, në emisionin “Debat Përnime” më 24.01.2025, teksa me bashkëpartiakë të tij, shpalosen planet e LDK-së për fushën e ekonomisë në vend.
Havolli premtoi se me ardhje e tyre në pushtet do të bashkëpunojnë ngushtë me sektorin privat.
“Bizneset e Kosovës në çdo mënyrë ne i shohim si patriotë të ditëve të sotme në Kosovë, sepse bizneset private janë pikërisht ato që e mbajnë shumicën e të punësuarve në vendin tonë”- tha Havolli.
Ndërsa, kandidati tjetër Berat Rukiqi, foli për çështjen e fiskalizimit të bizneseve në Kosovë.
Sipas tij, LDK do të funksionalizojë një metodë të re përmes së cilës mund të dihet nëse kuponi nuk është lëshuar nga ana e biznesit.
“Është edhe çështja e QR kodit të cilin do ta instalojmë në kuponët fiskal, që pastaj secili do të ketë mundësi me u deklaru nëse nuk i është lëshuar kuponi fiskal. Por, për me stimulu kërkesën për kupon fiskal ky QR kod do të shërbejë edhe për kthim të mjeteve”- tha Rukiqi.
Përveç kësaj, edhe në platformën e-Kosova pritet të mundësohet procesi i regjistrimit dhe licencimit të bizneseve, më qëllim që të krijohen lehtësira për bizneset.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.
“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/central-me-gaz-aviokompani-dhe-investime-miliardeshe-plani-i-ldk-se-per-zhvillimin-ekonomik/