Ballina

Plani i LDK-së për stabilitet energjetik në Kosovë

Në kuadër të planit për zhvillimin ekonomik, Lidhja Demokratike e Kosovë (LDK), ka paraparë disa projekte që pretendon se do të ndikojnë në uljen e importit të energjisë elektrike.

Duke e konsideruar si të frikshëm importin e energjisë elektrike që po e bënë aktualisht Kosova, kandidati për deputet nga kjo parti, Berat Rukiqi, thotë se në programin e tyre “Rruga e Re” është ofruar zgjidhja e kësaj problematike.

“Është Termocentrali me gaz i cili e siguron një tranzicion më të lehtë energjetik, i rritë kapacitetet prodhuese si dhe ndikon në zvogëlimin e kërkesës për energji elektrike”- tha Rukiqi.

Ndërsa, plani tjetër për çka do të mund të përdoret Termocentrali me gaz, sipas tij, është edhe përdorimi për amvisëri dhe për ngrohje.

Kjo, sipas Rukiqit, ndikon në uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe në nevojën për të blerë energji elektrike nga shtetet e tjera.

Si zgjidhje tjetër në këtë drejtim, ai e sheh edhe këmbimin e energjisë elektrike me Shqipërinë .

Ndërkaq, kandidati Besian Mustafa foli më në detaje për atë se çfarë parasheh programi i LDK-së për një stabilitet energjetik në Kosovë.

“Në programin tonë janë shtesë 500 MW, rritje të kapacitetit të Kosovës B nga 520MW në 560 MW. Mos të harrojmë që ky projekt është ndalur për shkak të sanksioneve nga BE, sepse financimi është paraparë të jetë i BE-së”- tha Mustafa.

Për këtë, ai u zotua se për katër vitet e ardhshme “në krye me LDK-në”, do përmbushen 90% e nevojave gjatë vitit me energji elektrike.

“Por, në 90 për qind të vitit do t’i plotësojmë këto nevoja. Atë 10 përqindëshin e ditëve, që i bie rreth një muaj, me gjasë do të përfundojmë duke importuar, por jo përmes oligarkëve që kanë qenë dhe anëtarë të kryesisë të partisë në pushtet”- tha ai.

Ndër të tjera, me “ardhjen e LDK-së në pushtet” premtohet se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), do jetë një institucion i pavarur, “për t’u siguruar që çmimi reflekton realitetin në terren, por edhe nevojat socio-ekonomike”. Kështu tha Mustafa.

Ndërkaq në kuadër të kësaj është paraparë edhe një masë lehtësuese që adreson rritjen e çmimit të energjisë, e që është eliminimi i TVSH-së për energjinë elektrike.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

 RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

“Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/central-me-gaz-aviokompani-dhe-investime-miliardeshe-plani-i-ldk-se-per-zhvillimin-ekonomik/