I akuzuari për rastin e vrasjes në lokalin “BonVivant”, Andi Pajaziti, ka filluar dhënien e mbrojtjes lidhur me akuzat që prokuroria i vë në barrë.
Pajaziti akuzohet se ka kryer vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendor ku ka mbetur i vrarë një person më 04.08.2023.
Procesi Gjyqësor tashmë gjendet në fazën e dhënies së mbrojtjes, ku më pas pritet të ipen fjalët përfundimtare dhe sipas afateve të përcaktuara me kodin e procedurës penale parashihet edhe shpallja e aktgjykimit për këtë rast.
“Po dua të deklarohem”- janë fjalët e Andi Pajazitit në gjykatë më 24.01.2025.
Mbrojta e Pajazitit është duke vazhduar në seancën që është duke u mbajtur më 24.01.2025.
Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:15, ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K.R.
Dosja përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.
Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.
Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtie më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.
Sipas dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.
Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore.
Vdekja e K.R., sipas Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.
Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë, është tip “Smith” e kalibrit 9mm.
Për këtë, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.08.2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.
Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.
Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R., i cili kishte vdekur në QKUK.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.