Ballina

Liderët e koalicionit ‘Lista për Familjen’ vizitojnë Odën Ekonomike dhe Shoqatën e Pensionistëve

Kandidatët për deputetë të koalicionit “Lista për Familjen”, Selim Pacolli, Visar Korenica dhe Bejtush Gashi, më 22.01.2025, kanë zhvilluar vizitë në Odën Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Pensionistëve.

Sipas njoftimit, gjatë këtyre vizitave, ata u njoftuan nga afër me sfidat dhe shqetësimet që po përballojnë bizneset vendore dhe pensionistët.

“Në takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna u diskutua për zhvillimet ekonomike të vendit dhe për rëndësinë e përkrahjes së prodhimeve vendore.” – thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se të dyja palët ishin të një mendimi, se shteti i Kosovës duhet të ofrojë më shumë mbështetje për prodhuesit vendorë.

Rafuna theksoi disa prej sfidave kryesore, me të cilat përballen bizneset vendore – përfshirë mungesën e fuqisë punëtore.

Pas vizitës në Odën Ekonomike, koalicioni “Lista për Familjen” u takua me Shoqatën e Pensionistëve dhe thuhet se diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së pensionistëve në vend.

Kandidati për Deputet, Selim Pacolli theksoi se familja do të mbetet gjithmonë një prioritet kryesor i Koalicionit.

Ndërsa, Visar Korenica ka theksuar se Koalicioni do të luftojë për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje, që mund të dëmtojë këtë institucion të shenjtë.

Në njoftim thuhet se gjatë këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Shoqatës së Pensionistëve theksoi mbështetjen e koalicionit për pensionistët dhe ngriti disa kërkesa kryesore.

“Një nga kërkesat e tyre primare ishte Ligji për Fondin Pensional, si dhe shqetësimi për paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj – një praktikë që ata e konsiderojnë si një pengesë të madhe. Koalicioni “Lista për Familjen” premtoi se ky vendim do të eliminohet – duke siguruar që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe më i drejtë, si pjesë e planit qeverisës të koalicionit.” – thuhet në njoftim.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.