Tre kandidatë për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), derisa kanë prezantuar Programin zgjedhor të partisë për Shëndetësinë, kanë komentuar edhe punën e Qeverisë Kurti në këto katër vjet.
Sipas Ekrem Hysenit, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë do të duhej të krenoheshin sikur të kishin arritur të vendosnin strategji për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, ose diçka të ngjashme, e jo të krenoheshin me rinovime të objekteve.
“Një Qeveri dhe një Ministër duhet të krenohet nëse ka vendos në strategji zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje. Këto rinovime duhen të jenë pjesë e QKUK-së. Duhet të jenë pjesë e SHSKUK-së. [Qeveria dhe Ministri] duhen të krenohen me strategji, e jo të krenohen me rinovimet.” – tha Hyseni.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e MSH-së në rinovime.
“Unë pajtohem që kanë bërë rinovime, por edhe këtu ka një defekt që nuk është i vogël. Si ka mundësi që të gjitha rinovimet e udhëhequra nga Ministria e Shëndetësisë janë shumë herë më të shtrenjta në të njëjtin institucion, ku rinovimet janë udhëhequr nga SHSKUK-ja? Si është e mundur, pse?” – tha Hyseni.
Madje për këtë, ai dha edhe një shembull.
“Merre çmimoren e Kontratës së rinovimit të Emergjencës dhe Gjinekologjisë, d.m.th. Ministria e Shëndetësisë e ka menaxhuar renovimin e Gjinekologjisë, ndërsa SHKUK e ka menaxhu rinovimin e Emergjencës.” – që, sipas tij, ka dallime të mëdha.
Ndër të tjera, këto rinovime Hyseni i ka cilësuar edhe si joefektive.
“Le të me thotë dikush që është rinovuar Gjinekologjia dhe ndonjë lehonë duhet me udhëtu 40m për më shku në banjo. Le të më thotë, që është rezultat i mirë dhe unë po e pranoj.” – thotë Hyseni.
“Dështim total” të Qeverisë Kurti, Hyseni e ka quajtur edhe mosndërtimin e Spitalit të Podujevës.
Ndërsa kur u fol për Spitalin e Ferizajit u premtua se do përfundojë gjatë mandatit të parë të LDK-së.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/lajm/rritje-te-buxhetit-qender-te-re-spitalore-dhe-funksionalizim-te-sish-it-zotimet-e-ldk-se-per-shendetesine/