Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Partinë Demokratike të Kosovës me 19 mijë euro gjoba.
Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në PZAP se PDK ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike.
Një Ankesë ka qenë për shkak të vendosjes së një posteri të kandidates për Deputete, Blerta Deliu-Kodra në rrugën ‘Osman Geci’ në Skenderaj. Një tjetër për posterin te rruga ‘Pazari i Vjetër’, po ashtu në Skenderaj. Ankesa e tretë ka qenë për posterin e Mërgim Lushtakut po ashtu te rruga ‘Pazari i Vjetër’ dhe e fundit për posterin e Lushtakut te rruga ‘Osman Geci’.
Saktësisht është thënë se është shkelur Neni 34, Paragrafi 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Partia Demokratike e Kosovës është përgjigjur në këto Ankesa – duke thënë se pretendimet janë pabazë.
Sipas PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Mërgim Lushtaku, para fillimit të fushatës, kishte marrë pëlqimin dhe lejen e shfrytëzuesve të hapësirës publike.
PDK thotë se Deliu- Kodra dhe Lushtaku kanë nënshkruar Kontratë me ‘Foto Kabashi’, për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese.
PZAP ka gjetur se Ankesa është e bazuar për shkak se është konstatuar vendosja e bilbordeve të dy kandidatëve për Deputetë dhe se ka vlerësuar Kontratat e bashkëngjitura nga PDK-ja.
Kontratat nuk ishin nënshkruar nga Deliu-Kodra, por vetëm nga qiradhënësi ‘Foto Kabashi’ dhe ato nuk kanë vulë të protokolimit.
Kontratat e Mërgim Lushtakut nuk kanë po ashtu vulë të protokolimit.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për këto Kontrata thotë që mungesa e vulës së protokolimit nuk jep mundësi të vërtetimit, që ka të bëjë me subjektin që ushtron veprimtari të caktuar dhe rrjedhimisht edhe të drejtën për të dhënë në shfrytëzim hapësirat reklamuese.
Njëri rast i Deliu-Kodrës i kushtoi PDK-së 4 mijë euro, tjetri 5 mijë e 500 euro. Ngjashëm, njëri rast i Lushtakut i kushtoi PDK-së me 4 mijë euro gjobë dhe tjetri 5 mijë e 500 euro.
PDK ka afat prej 15 ditësh për të paguar gjobat.
Vendimin e plotë me numër A48, A49, A50 dhe A51 të PZAP-së mund t’i qasni në këtë vegëz.