Rrjeti i organziatave Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se gjatë këtyre ditëve të para të fushatës për zgjedhjet nacionale 2025, partitë politike ka në ashpërsuar gjuhën dhe diskursin publik.
Në një konferencë për media, Eugen Cakolli nga DnV, tha se intensitetin më të lartë e ka partia në pushtet, Vetëvendosja, por edhe partitë e tjera opozitare.
“Këtë javë kemi pasur ashpërsim dhe përkeqësim të gjuhës së diskursit të përdorur në fushatë, me plotë 25 aktivitete, gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes apo urrejtjes, kryesisht mbi baza politike” – ka thënë Cakolli.
“Sipas intensitetit, është e qartë se një gjuhë e tillë është e shprehur sidomos nga aktivitetet e partisë në pushtet, pra Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe të partive tjera si LDK, PDK dhe AAK”.
Ai gjithashtu tha se një tipar dallues i këtyre zgjedhjeve dhe fushatës, është sipas tij, trendi i shpalosjes së njëanshme të programeve politike nga ana a partive, pa pasur komunikim dykahir.
“Pra, shumica e aktiviteteve janë organizuar vetëm duke pasur fjalime të liderëve, kandidatëve apo zyrtarëve të tjerë partiake, pa u dhënë mundësia palëve të tjera që të komentojnë apo të diskutojnë mbi programin” – tha ndër të tjera Cakolli.
Deri më tani, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Vetëvendosjen me 3 mijë euro, për gjuhë fyese, LDK-në me 20 mijë euro për nxitje të urrejtjes dhe AAK-në me 12 mijë euro.