Një Gjykatë pakistaneze e ka dënuar ish-kryeministrin Imran Khan me 14 vjet burgim, të premten, më 17.01.2026, në një rast korrupsioni për tokë – ka njoftuar transmetuesi lokal ARY News – njofton Reuters.
Vendimi për këtë çështje, më i madhi për sa i përket keqpërdorimit financiar me të cilin u përball Khan, u shqiptua nga një Gjykatë antikorrupsion në një burg në qytetin garnizon, Rawalpindi, ku Khan është i burgosur prej gushtit 2023.
Ish-ylli i kriketit, 72 vjeç, ishte paditur me akuzat se atij dhe gruas së tij iu dhurua tokë nga një magnat i pasurive të paluajtshme gjatë mandatit si Kryeministër, gjatë viteve 2018- 2022, në këmbim të favoreve të paligjshme.
Khani dhe gruaja e tij, Bushra Bibi ishin deklaruar të pafajshëm. Shpallja e Vendimit u vonua tre herë – së fundmi edhe të hënën pas bisedimeve ndërmjet Qeverisë dhe partisë së Khanit.
Bushra Bibi, e cila është në fund të 40-ave dhe ishte liruar me kusht, u dërgua në paraburgim pasi u shpall fajtore për të njëjtin rast – ka raportuar Geo News.
“Ndërsa ne presim një Vendim të detajuar, është e rëndësishme të theksohet se, rasti i ‘Al-Qadir Trust’ kundër Imran Khanit dhe Bushra Bibit nuk ka ndonjë bazë të fortë dhe detyrimisht do të rrëzohet.” – ka shkruar në një deklaratë krahu i mediave i partisë së Khanit në Pakistan, Tehreek-e-Insaf.
Vendimi është pengesa më e madhe për Khanin dhe partinë e tij, që nga rezultati çuditërisht i mirë në Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, kur kandidatët e saj, të cilët u detyruan të konkurronin si të pavarur fituan shumicën e mandateve, por nuk arritën shumicën e nevojshme për të formuar një Qeveri.
I burgosur që nga gushti 2023 Khan është përballur me dhjetëra raste, duke filluar nga akuzat për ryshfet dhe shpërdorim pushteti, deri te nxitja e dhunës kundër shtetit, pasi u hoq nga detyra në një votëbesim parlamentar në prill 2022.
Ai ose shpallej i pafajshëm, ose i pezulloheshin dënimet në shumicën e rasteve, me përjashtim të njërit, bazuar mbi akuzën e nxitjes së mbështetësve për të sulmuar nëpër objektet ushtarake gjatë protestave kundër arrestimit të tij, më 9 maj 2023.
Mbështetësit i kanë udhëhequr disa protesta të dhunshme që nga incidentet e 9 majit.
Ai është gjykuar brenda burgut për arsye sigurie.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com