Ballina

“Trillim të kulluar” e quan TikTok-u Raportin se po i shitet Elon Muskut

TikTok-u e ka quajtur “trillim të kulluar” një Raport se Kina po shqyrton që të lejojë shitjen e operacioneve amerikane të kompanisë së mediave sociale Elon Muskut – raporton të martën, më 14.01.2025, televizioni britanik BBC.

Komentet e firmës janë kundërpërgjigje ndaj një Raporti të “Bloombergut”, se zyrtarët kinezë po peshojnë një opsion që do të mund të hapte rrugën që biznesi i tyre në Amerikë t’i shitet personit më të pasur në botë – nëse Gjykata Supreme amerikane e mban në fuqi ndalimin e aplikacionit.

Gjyqtarët e Supremes pritet të nxjerrin një verdikt për një Ligj që ia përcakton 19 janarin si ultimatum për TikTok-un, që ose t’i shesë operacionet amerikane, ose të përballet me ndalesën në këtë vend.

TikTok-u ka thënë vazhdimisht se nuk do t’i shesë operacionet amerikane.

“Nuk mund të pritet prej nesh që të komentojmë një trillim të kulluar.” – ka deklaruar një zëdhënës i TikTok-ut për BBC-në.

“Bloomberg” raportoi, duke cituar njerëz të informuar me çështjen, se një skenar i mundshëm po shqyrtohet prej zyrtarëve kinezë, që do të rezultonte me marrjen e kontrollit të operacioneve amerikane të TikTok-ut nga media sociale e Elon Muskut, X.

X-i nuk ka dashur që menjëherë ta komentojë Raportin, pavarësisht kërkesës së BBC-së.

Musku është aleat i ngushtë i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili pritet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Trumpi e ka inkurajuar muajin e kaluar Gjykatën Supreme që ta shtyjë verdiktin, derisa ta marrë Presidencën që t’ia mundësojë që të gjejë një “zgjidhje politike”.

Avokati i tij ka dorëzuar një shkresë në Gjykatë, duke theksuar se Trumpi “kundërshton ndalimin e TikTok-ut” dhe “kërkon aftësinë për të zgjidhur çështjen nëpërmjet mjeteve politike kur ta marrë detyrën”.

Kjo ndodhi një javë pasi Trumpi e takoi shefin ekzekutiv të TikTok-ut, Shou Zi Chew, në pronën e tij Mar-a-Lago në Floridë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com