Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta ka filluar më 04.01.2025 dhe do të zgjasë deri më 05.02.2025.
Sipas njoftimit, për të mundësuar votimin e personave të regjistruar si votues me nevoja të veçanta, KQZ më 09.02.2025 do të angazhojë ekipet mobile në çdo Komunë të Kosovës.
“Procesi i regjistrimit të këtyre votuesve ka filluar më 4 janar dhe do të përfundojë më 5 shkurt 2025.” – thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Me qëllim të lehtësimit të procedurës, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://vpnv.kqz-ks.org/
Sipas KQZ-së, votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë këto kategori: personat me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia; personat me lëvizje të kufizuar në institucione, si: spitale, shtëpi për të moshuarit dhe strehimore; dhe, personat në rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkaqe sigurie apo janë në arrest shtëpiak.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.
https://kallxo.com/lajm/numrat-e-partive-politike-per-zgjedhjet-e-9-shkurtit/