Ballina

Ura e Badovcit u testua 10 ditë pas hapjes për qarkullim

Dhjetë ditë pasi u lëshua në qarkullim, për disa orë ura te liqeni i Badovcit u bllokua për qarkullim të enjten më 09.01.2025.

Pas raportimit të KALLXO.com se ura ishte lëshuar pa u testuar struktura e saj, një gjë e tillë u bë sot.

Fillimisht, poshtë u vendosën pajisjet që regjistronin lëvizjet e strukturës së urës, kur katër kamionë me ngarkesa deri në 30 tonë, kalonin mbi urë. Proces ky që zgjati rreth 2 orë.

Ndërkohë, disa nga qytetarët që frekuentonin magjistralen Prishtinë – Gjilan nuk e dinin që ura nuk ishte e testuar.

“Jo, nuk e kam ditë. Veç le të ndreqet mirë sepse është për krejt qytetarët”- tha Rexhep Maloku për KALLXO.com.

Një tjetër qytetar faktin se ura ishte lëshuar në qarkullim pa u testuar struktura e saj e kishte kuptuar përmes mediave.

“Po, e kam kuptu. Kjo me të vërtetë është katastrofë”- tha Enver Gashi.

Rezultatet e testimit të urës pritet të publikohen gjatë javës në vijim.

Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar “by-pass”-in që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e urës.

Ndërsa, në tetor të vitit 2023 kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urës së re.

Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024. Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishte 468 mijë e 522 euro.

Kurse, testimi parashihej në aneks-kontratë dhe kushtoi 6,000 euro.

Pas raportimit ekskluziv të KALLXO.com, Prokuroria e Prishtinës më 08.01.2025 kishte konfirmuar se ka kërkuar nga Policia e Kosovës të mbledhë informacione për lëshimin në qarkullim të urës te liqeni i Badovcit pa u testuar fare struktura e saj.

Këtë e kishte konfirmuar kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

 

https://kallxo.com/lajm/ekskluzive-ura-e-badovcit-u-leshua-ne-qarkullim-pa-u-testuar-video/