Në lidhje me objektin ilegal që funksiononte si ‘Administratë Tatimore’ ilegale në Mitrovicë të Veriut, një person është shoqëruar në Stacionin policor.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes Raportit ditor më 09.01.2025, në të cilin theksohet se pas intervistimit me urdhër të Prokurorit ky person është liruar në procedurë të rregullt.
“Objekti është mbyllur, ndërsa dokumentet janë sekuestruar deri në një vendim tjetër të Prokurorit.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raporuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si ‘Administratë Tatimore’.
Partia Lista Serbe ka reaguar në lidhje me mbylljen e institucionit paralel në Mitrovicë të Veriut.
Mbylljen e objektit që ka funksionuar si ‘Zyrë Tatimore’ nga Serbia, këta të fundit e kanë cilësuar si fushatë parazgjedhore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.
Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura ‘Administrata Tatimore’.
KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.
“Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.