Ballina

FKEE: Shtyhet deri më 30 prill afati për aplikim për disbursim i përfituesve për izolimin e shtëpive

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka njoftuar më 08.01.2025 se është shtyrë deri më 30 prill 2025 afati për aplikim për disbursim i të gjithë përfituesve të thirrjes publike për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale.

Sipas njoftimit, shtyrja e afatit do të vlejë për të gjithë aplikuesit që janë duke i kryer punimet në shtëpitë e tyre dhe i takojnë thirrjes së dytë publike (gusht 2024) dhe aplikuesit e listës së pritjes nga thirrja e parë publike (gusht 2023), për të cilët auditimi i energjisë është kryer nga FKEE.

FKEE njofton se vendimi për shtyrjen e afatit është marrë në bashkëpunim me donatorin e këtij projekti, Bashkimin Europian.

Gjithashtu FKEE u bën thirrje aplikuesve të cilët kanë pranuar letrat e para-aprovimit të kryejnë punimet dhe të aplikojnë për disbursim brenda këtij afati (30.04.2025), përmes dorëzimit dokumentacionit të kërkuar sipas thirrjes publike.

Ndërsa, më 26.08.2024 ishte lansuar thirrja publike për subvencionimin e qytetarëve të Kosovës në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Vlera e këtij subvencioni është 5 milionë euro dhe mbështetet nga Bashkimi Europian dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa po zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Qytetarët  përmes këtyre masave do të kenë mundësi të subvencionohen 45% të shumës së investimit, por pa kaluar shumën maksimale 5,500 euro.

Përmes këtij subvencionimi mundësohet termoizolimi i mureve të jashtme, termoizolimi i kulmit dhe ndërrimi i dyerve dhe dritareve të jashtme.