Ballina

Lëshimi i Urës së Badovcit pa u testuar – reagon zëvendësministri Hysen Durmishi

Pas raportimit ekskluziv të KALLXO.com se Ura e Badovcit është lëshuar për qarkullim pa u testuar – ka reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, zëvendësministri Durmishi ka shkruar se Ura është projektuar e ndërtuar me standardet më të larta dhe është stabile.

Zëvendësministri vazhdon të këmbëngulë se testimi të cilin e ka paralajmëruar për nesër është vetëm formal, meqë sipas tij gjatë gjithë këtyre ditëve aty kanë kaluar shumë makineri me pesha të rënda dhe nuk ka pasur asnjë problem për Urën.

“Dje dhe sot po mundohen të ngjallin pasiguri te qytetarët, me rastin e hapjes së Urës së Badovcit. Ura e Badovcit është projektuar e ndërtuar me standardet më të larta të projektimit e ndërtimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale – përfshirë këtu atestet paraprake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj. Prandaj, me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badovcit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre ditëve aty kanë kaluar shumë makineri me pesha të rënda, pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër.” – ka shkruar Durmishi në Facebook.

Ura e Badovcit është lëshuar për qarkullim më 31.12.2024.

Ndonëse Aneks-Kontrata parashihte që testimi të kryhej, Ura ishte lëshuar në qarkullim pa u testuar.

Kompania përgjegjëse për kryerjen e testimit “Dreni Inginiering” ditë më parë tha për KALLXO.com se Ura ishte lëshuar për qarkullim për shkak të festave.

Sipas Aneks-Kontratës, ky testim i ka kushtuar buxhetit të shtetit 6,000 euro, kurse i gjithë projekti ka kushtuar mbi gjysmë milioni euro.