Ballina

KQZ miraton dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për Zgjedhjet e 9 Shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Arianit Elshani, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, tha se për dallim nga hera e kaluar ndryshimet e tashme janë pothuajse kozmetike.

“Ka dallime në hapësirat mes subjekteve politike, me ngjyrë hiri.” – tha ai.

Me përmbajtjen e fletëvotimit nuk u ndanë të kënaqur dy anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi. Arsyetimi i tyre ishte se aty figuron Lista Serbe.

Më 06.01.2025 janë përcaktuar numrat e partive politike, që do të jenë pjesë e garës për Zgjedhjet e rregullta parlamentare, më 9 shkurt 2025.

Në Zgjedhjet e 9 Shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore-Forumi Intelektual 137, Koalicioni për Familjen 129…

KQZ e ka certifikuar, më 04.01.2025, listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Sipas Vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës. Në total, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të garojnë 27 parti politike.

Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.