Presidenti i zgjedhur, Donald Trump nuk ka treguar shenja të heqjes dorë prej dëshirës së tij për marrjen e kontrollit amerikan të Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë, duke i quajtur të dyja kritike për sigurinë kombëtare amerikane – ka raportuar transmetuesi britanik BBC.
I pyetur nëse përjashton mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake ose ekonomike, me qëllim të marrjes së territorit autonom danez ose të Kanalit, ai është përgjigjur: “Jo, nuk mund t’ju siguroj për asnjërën prej tyre”.
“Por mund ta them këtë, ne na duhen ato për sigurinë ekonomike.” ka deklaruar ai para gazetarëve në një Konferencë të gjatë me shumë pyetje në pronën e tij në Mar-a-Lago në Floridë.
Edhe Danimarka, edhe Panamaja kanë hedhur poshtë çfarëdo sugjerimi se mund të japin territor.
Deklaratat e Trumpit erdhën në kohën kur i biri i tij, Donald Trump Jr po qëndronte në Grenlandë. Para se të arrinte në kryeqytetin Nuuk, Trump i Riu ka thënë se ishte në një “udhëtim personal” për të folur me vendasit dhe se nuk kishte asnjë takim të planifikuar me zyrtarë qeveritarë.
Kur është pyetur për vizitën e të birit të presidentit të zgjedhur në Grenlandë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka deklaruar për Televizionin Danez se “Grenlanda u përket grenlandezëve” dhe se vetëm vendasit mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Ndërkaq në një mesazh të regjistruar, më 23.12.2025, nga presidenti i Panamasë Mulino ka deklaruar se pavarësia e Panamasë është e panegociueshme dhe se Kina nuk ka asnjë ndikim në administrimin e Kanalit. Ai mbrojti, gjithashtu, tarifat e kalimit të ngarkuara nga Panama – raportonte Reuters.
Kina nuk e kontrollon apo administron Kanalin, por një degë të “CK Hutchison Holdings”, me bazë në Hong-Kong, ka menaxhuar prej kohësh dy Porte të vendosura në hyrjet e Kanalit në Karaibe dhe në Paqësor.
Shtetet e Bashkuara ndërtuan kryesisht Kanalin dhe administruan territorin përreth kalimit për dekada me radhë. Por, Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja nënshkruan një mori Marrëveshjesh në 1977, që hapën rrugën për kthimin e Kanalit në kontrollin e plotë të Panamasë. Shtetet e Bashkuara dorëzuan kontrollin e kalimit më 1999, pas një periudhe administrimi të përbashkët.
Trumpi është zotuar gjithashtu për të përdorur “forcën ekonomike” kur është pyetur nëse do të aneksonte Kanadanë dhe e ka quajtur kufirin e përbashkët “vijë të tërhequr artificialisht”.
Kufiri është më i gjati në botë ndërmjet dy shteteve dhe ishte vendosur sipas Traktateve, që datojnë prej kohës së themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fund të viteve 1700.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com