Ballina

Si u identifikua i dyshuari për plagosjen në Lagjen Arbëria?

Në gjendje të rëndë, ende pretendohet se është viktima që mbeti i plagosur në orët e mbrëmjes së 03.01.2024 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

KALLXO.com mëson se i dyshuari Sh.H., është vendosur në stop listë ndërsa nga vendi i ngjarjes ishte larguar me veturë.

Tutje siç mëson KALLXO.com, policia arriti deri te emri i të dyshuarit, pasi i plagosuri deri sa po transportohej në spital kishte përmendur emrin e tij dhe kishte treguar se i njëjti e kishte gjuajtur me armë.

Deri më tani prokuroria ka arritur që të siguroj një DVR që janë tërhequr nga policia dhe të njëjtat do të ekzaminohen dhe do të dalin në pah edhe pamjet që mund të zbardhin plagosjen se si ndodhi.

DVR është siguruar nga kamerat e sigurisë së një objekti/lokal në afërsi të vendit ku ka ndodhur plagosja.

Nga hetimet fillestare deri më tani, ende nuk është e qartë se çka dërgoi deri te plagosja ndërsa KALLXO.com mëson se familjarët e të plagosurit kanë konfirmuar se ky i fundit nuk ka treguar ndonjëherë se ka pasur ndonjë problem me dikë e edhe me të dyshuarin.

Një person është plagosur mbrëmë më 03.01.2025 rreth orës 18:30 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

Policia ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen që ndodhi ndërsa ka njoftuar edhe se i dyshuari ndonëse është identifikuar vazhdon të jetë në kërkim nga njësitet policore.

Viktima në këtë rast për të cilin KALLXO.com kishte marrë vesh se ka inicialet F.J, sipas policisë është plagosur në shpinë me armë zjarri.

Sh.H., sipas policisë dyshohet se ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas marrjes së informacionit se në Lagjen Arbëria ka të shtëna armësh, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Aty kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndërsa mjeku kujdestar Adem Jaha, i ka thënë KALLXO.com se nga salla operative ishte dërguar në kujdes intensiv duke shtuar se pacienti ka qenë në rrezik për jetë.

Në anën tjetër zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se përvec të dyshuarit, janë identifikuar edhe dy vetura të cilat u përkasin të përfshirëve në plagosjen që ndodhi në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

Rasti është iniciuar si vrasje në tentativë.

Pas plagosjes, policia me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka kryer edhe një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Podujevë por nuk ka gjetur diçka të dyshimtë.