Ballina

Hapet aplikimi online për akreditimin e vëzhguesve për Zgjedhjet e shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka hapur aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve për Zgjedhjet e 09.02.2025.

Për këtë KQZ-ja ka funksionalizuar platformën online https://vezhgo.kqz-ks.org

KQZ-ja bëri të ditur se, më 30.12.2024, ka filluar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve.

Komisioni ka përcaktuar afatet për dorëzimin e Kërkesave online për akreditim, të cilat pritet të përfundojnë në data të ndryshme – varësisht nga vëzhguesit që variojnë prej 15.01.2025 deri më 04.02.2025.

Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me Zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online Kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:

Afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 15.01.2025. Afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25.01.2025. Afati për dorëzimin e Kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25.01.2024.

Ndërsa, afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 04.02.2025; për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25.01.2025 dhe afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25.01.2025.

Të gjitha subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhje, KQZ-ja, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar “Userët” – përmes së cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për akreditimin e vëzhguesve.

Gjithashtu, KQZ-ja njofton se përmes Zyrës do të krijojë ‘Userët’ edhe për OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me Zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat, si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja.

KQZ-ja ka njoftuar se Kërkesa për ‘User’ duhet të paraqitet në e-mail adresën zyra.kqz@kqz-ks.org dhe duhet të përmbajë të dhënat: Emri i organizatës / medias; Emrin dhe mbiemrin e përfaqësuesit të autorizuar; E-mail adresën e përfaqësuesit të autorizuar; Numrin kontaktues të përfaqësuesit të autorizuar. Për më shumë informacione, mund të kontaktoni në këtë numër: +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Për fund, KQZ-ja ka paralajmëruar se vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 09.02.2025 dhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Lista preliminare e miratuar nga KQZ, në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues – shtetas të Kosovës.

 Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e përgjithshme është 209,878.