Ka shkuar në dymbëdhjetë numri i personave që janë vrarë të mërkurën pasdite më 1 janar në Cetinjë të Malit të Zi, ndërkohë që katër persona janë të plagosur, ka njoftuar prokurorja Andrijana Nastiq pas ekspertizës.
I dyshuari për këtë vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviq, ka tentuar vetëvrasjen. Ai ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Vrasjet kanë ndodhur në pesë lokacione të ndryshme – në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person.
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, tha në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi viktimat ishin miq dhe kumbara të Martinoviqit.
Ai i vrau katër personat e parë në një lokal, pas një zënke që kishte paraprirë një shoqërim disaorësh.
Katër persona janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës në gjendje kritike, sipas drejtorit të këtij institucioni Aleksandar Radoviq.
Sipas deklaratës së Policisë, në mesin e të vrarëve janë disa anëtarë të familjes së Martinoviqit./REL