Në sesionin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nga disa anëtarë është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, një gjë e tillë është kundërshtuar nga përfaqësuesja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Qeverisë së Kosovës që ta themelojë këtë asociacion.
“Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është vetëm një dëshirë, por është diçka që është marrë për obligim nga Prishtina dhe është sabotuar për vite me radhë. [Andaj] Të obligohet Prishtina që ta themelojë Asociacionin menjëherë”- tha ai gjatë fjalës së tij.
Nebenzya pretendoi se është rritur numri i incidenteve etnike në Kosovë prej kur është kryeministër, Albin Kurti.
“Në vitin 2024 kanë ndodhur 93 incidente me motive etnike dhe shënjestër janë serbët, prejse Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet. Terrori ndaj serbëve të Kosovës shpjegohet më së miri më një shkallë të ulët të kthimit të refugjatëve”- pretendoi ai,
Ndërkaq, Jay Dharmadhikari, Zëvendëspërfaqësuesi i Francës në Kombet e Bashkuara, ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në bazë të draft-statutit europian.
Ai tha se progresi i Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare është i varur nga progresi në dialogun me Serbinë.
“Franca thekson që progresi i Kosovës drejt institucioneve ndërkombëtare varet nga progresi në dialog. Pra, këto veprime të njëanshme duhet të zgjidhen në këtë mënyrë edhe me themelimin e Asociacionit në bazë të draft-statutit të BE-së” – tha ai.
Sipas tij, mungesa përparimit në këtë drejtim, mbetet pengesë ndaj implementimit efektiv të të drejtave të pakicës serbe në Kosovë.
Megjithatë, Gërvalla paraprakisht tha se problemi për njerëzit e Vuçiqit nuk ka të bëj me ndonjë Asociacion, por “problemi real është vetëm ekzistenca jonë si Kosovë”.
“Për ta Asociacioni nuk është fare vegël për të lehtësuar jetën e qytetarëve, por për ta copëtuar një pjesë të vendit tonë. Ky njeri nuk duhet të jetë president vendi, duhet të jetë në gjykim ose në burg. Ai vazhdon të promovojë supermacinë serbe, njëjtë si ajo ruse”- shtoi Gërvalla.
Niveli i të drejtave të pakicave si në Kosovë është unik në këtë planet, sipas kryediplomates kosovare, duke i quajtur propagandë deklaratat nga Serbia.
Përfaqësuesi i Kinës, Fu Cong, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë veprimet e njëanshme.
“Këto veprime të njëanshme kanë ndikim mbi jetën e serbëve, duke nxitur frikën tek ta. Kina është shumë e shqetësuar dhe inkurajon autoritetet e Kosovës që të ndalin këto veprime të njëanshme dhe të kthehen në rrugën e duhur” – ka thënë Cung.
Në seancën e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë.