Tiesha Blackwell, 24 vjeçe, votoi Joe Bidenin në vitin 2020, por sivjet ka ndërruar mendje dhe po mbështet ish-presidentin republikan, Donald Trump, duke treguar se çmimet e larta të ushqimit dhe banesave janë arsyeja kryesore.
Blackwell, e cila jeton në jugperëndim të Detroitit në shtetin kyç Miçigan, ka një punë më të mirë tani, por qiraja i është dyfishuar pasi u detyrua të zhvendosej dhe se faturat e ushqimit dhe të shërbimeve i janë rritur shumë.
“Unë nuk jam më keq se sa isha katër vjet më parë”, ka theksuar Blackwell për agjencinë Reuters në margjinat e një mitingu në Detroit këtë muaj me bashkëgaruesin e Trumpit, JD Vance.
“Por krahasuar me atë kohë, gjërat janë vërtet shumë të shtrenjta këtu. Unë nga 575 dollarë atëherë tani paguaj 1.100 dollarë vetëm për qira. Gjithçka është më e lartë”.
Rimëkëmbja ekonomike e Shteteve të Bashkuara pas COVID-19 bëri që bota ta shihte me zili SHBA-në … Tregjet e aksioneve janë në nivele rekord, vendet e punës dhe pagat po rriten me shpejtësi, papunësia është e ulët dhe inflacioni tani është nën nivelet e janarit 2020 pas një rritjeje në 2022.
“Fluturojnë” çmimet
Por çmimet për ushqimin, qiranë, shërbimet komunale dhe të ngrënit jashtë janë larg mbi nivelet e vitit 2019, për shkak të faktorëve kompleksë mbi të cilët qeveria amerikane ka ndikim të kufizuar, si kostoja e punës, mungesa e konkurrencës dhe çështjet e zinxhirit të furnizimit.
Shumë amerikanë janë në një gjendje të vazhdueshme tronditjeje.
Kjo mund të shpjegojë pse votuesit në shtatë shtetet kritike të zgjedhjeve federale që do të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të 5 nëntorit kanë një pikëpamje negative për ekonominë, me 61 për qind prej tyre që thonë se është në rrugën e gabuar. Kështu tregojnë shifrat e një sondazhi të Reuters/Ipsos në këtë muaj, për sa kohë që 68 për qind thonë se kostoja e jetesës është në rrugën e gabuar.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate, dhe Trumpi kanë propozuar rregullime të ndryshme. Harrisi ka premtuar se do të luftojë rritjen e çmimeve dhe do të rrisë kreditimin e taksave për fëmijët, ndërsa Trumpi ka propozuar uljen e taksave për pagesën jashtë orarit, vendosjen e tarifave të përgjithshme për importet që ai thotë se do të kthejë prodhimin në SHBA dhe deportimin masiv të emigrantëve.
Tarifat e propozuara të Trumpit dhe kërcënimet për dëbim do të rrisin çmimet për mallra dhe shërbime, thonë shumë ekonomistë, ndërsa frenimi i çmimeve të larta nga Harris është diçka e paprovuar në nivel federal, shkruan Reuters.
Diçka duhet bërë
Megjithatë, të anketuarit se cili kandidat kishte qasje më të mirë për çështjet, Trumpi kryesoi në ekonomi – 46 për qind, tregoi sondazhi i Reuters këtë muaj.
Njerëzit që studiojnë ekonominë thonë se ndjejnë zhgënjimin e votuesve edhe nëse mendojnë se plani i Trumpit nuk do të ndihmojë.
“Unë e kuptoj inflacionin më mirë se njeriu mesatar dhe kam punuar në Rezervën Federale, por mbetem i habitur se sa më shqetëson inflacioni”, ka theksuar Michael Strain, drejtor i studimeve të politikës ekonomike në Institutin konservator “American Enterprise”. Ai ishte kritik ndaj planeve tarifore të Trumpit në të kaluarën.
“Kur hyj në një restorant ku shkoj me vite dhe … në vend të 50 dollarëve, janë 70 dollarë shpenzime, ndihem sikur dikush më godet me grusht në fytyrë dhe më vjedh një kartëmonedhë 20-dollarëshe nga portofoli im”, ka theksuar ai.
Blackwell, votuesja e Miçiganit, thotë se e pranon argumentin e Trumpit se tarifat janë të nevojshme për të kufizuar importet dhe për të mbrojtur vendet e punës në Shtetet e Bashkuara. “Po, mund të rrisë çmimin për konsumatorët, por në planin afatgjatë diçka duhet bërë”, ka thënë ajo.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com