Bombardimet e Izraelit kundër Iranit janë “veprime të vetëmbrojtjes”, ka deklaruar të premten përmes një komunikate një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
“Ne e kuptojmë se sulmet e shënjestruara të Izraelit kundër caqeve ushtarake në Iran përbëjnë veprime të vetëmbrojtjes dhe vijnë si përgjigje ndaj sulmit iranian me raketa balistike kundër Izraelit më 1 tetor” – ka deklaruar Sean Savett, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ekzekutivit amerikan, sipas CNN.
Ushtria izraelite konfirmoi se është duke kryer “sulme precize” ndaj objektivave ushtarake në Iran “si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme prej muajsh” nga Republika Islamike.
“Në përgjigje të muajve të tërë sulmesh të vazhdueshme nga regjimi iranian kundër shtetit të Izraelit, ushtria izraelite aktualisht po kryen sulme të shënjestruara ndaj objektivave ushtarake në Iran” – tha ushtria izraelite në një deklaratë.