Më 27.05.2024, Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit kishte publikuar një listë me përfituesit e subvencioneve për Organizatat e Shoqërisë Civile.
Nga 25 përfituesit, të paktën gjashtë OJQ që përfituan subvencione drejtohen nga zyrtarë të Komunës së Deçanit.
KALLXO.com ka konfirmuar se zyrtarët komunalë përfituan subvencione nga ekzekutivi lokal, në të cilin ata punojnë.
Kështu, përfitues nga lista e publikuar janë: Ajne Iberhysaj, Inspektore për Mjedis në Komunën e Deçanit, Bajram Çekaj, Zyrtar për Bujqësi, Zeqë Malaj, Zyrtar për Arsim, Mustafë Ramaj, Zyrtar për Trashëgimi Kulturore, Avni Rexhaj, Zyrtar për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Miftar Januzaj, Zyrtar në Recepsion.
Secili nga zyrtarët e kontaktuar nga KALLXO.com kanë thënë që nuk e shohin konflikt interesi që si zyrtarë të komunës të përfitojnë subvencione nga vetë ekzekutivi lokal.
Ajne Iberhysaj nga OJQ ‘Iniciativa për Zhvillim’ ka përfituar 3 mijë euro subvencione nga Komuna e Deçanit për organizimin e “Ditës së gështenjës”.
“Nuk e bëj për përfitime…meqenëse jam, edhe njëherë po e theksoj që jam ideatore, e kam bë një format më ndryshe me piktorë, se dikur Deçani ka pasur një traditë të piktorëve dhe me vazhdu këtë dhe mos me harru, një trashëgimi natyrore që të gërshetohet me trashëgiminë kulturore. Normal që nganjëherë bien ndesh, ta them sinqerisht, po është diçka që jam e para që e kam bë në këtë format dhe nuk e shoh asnjëherë fitimin si diçka, po vetëm vazhdimësinë” – ka thënë Iberhysaj.
Avni Rexhaj, një zyrtar për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Deçanit kishte aplikuar për subvencione me Klubin e Futbollit Deçani. Ai ka konfirmuar se KF Deçani ka marrë 15 mijë euro subvencione por ka thënë që nuk është më pjesë e klubit.
“O ngom! Unë jam kanë person zyrtar, po tash nuk jam pjesë e klubit a po kupton, a ke të qartë?. Po, unë e kam bë vet kërkesën, mirëpo tash nuk jam pjesë e klubit…Unë nuk ma merr mendja që u bë një konflikt interesi” – ka thënë Rexhaj për KALLXO.com.
Një tjetër zyrtar komunal që përfitoi përmes OJQ-së subvencione në Komunën e Deçanit ishte Zeqë Malaj me Fondacionin “Dhuro edhe ti”. Malaj përfitoi 2 mijë euro subvencione dhe është Zyrtar për Arsim në komunë.
“Ky është fondacion humanitar që i ndihmojmë qytetarët për nevoja të shëndetësisë, sëmundjeve, nevoja humanitare, ushqimore, qashtu qe… Vallain jo, s’e kom pa konflikt interesi, kam aplikuar, i kam marrë edhe ne kemi shumë aktivitete në komunën e Deçanit…” – ka deklaruar ai.
Zeqë Malaj aktualisht është pjesë e KF Deçanit. Ai ka konfirmuar se menaxhon edhe me 15 mijë euro që klubi i futbollit i mori subvencione nga Komuna e Deçanit.
“Po, po menaxhohen na derisa të zgjidhet bordi, se patën dhanë dorëheqje me kryesi, me kryetar i klubit me të gjitha, patën dhënë dorëheqje. Mua nuk m’i kanë qitë ata, personalisht nëse kisha marrë unë një donacion, personalisht prej komunës ma merr menja që është konflikt interesi” – tha ai.
Zyrtari tjetër që përfitoi nga komuna është Bajram Çekaj nga Grupi Lokal i Veprimit ‘Gjeravica’ i cili ishte Zyrtar për Bujqësi në komunë. Ai ka konfirmuar që kishte përfituar 2 mijë euro subvencione por tha se do t’i kthej për shkak se nuk i mjaftojnë për aktivitetet e parapara.
“I kam kërkuar diku 5 mijë euro, 4 mijë e 500 a 5 mijë euro, më kanë thënë veç qeto i kemi. Ju kam thënë s’muj me i realizu, se nuk muj me i kry shërbimet çka nevojiten. Nuk me kanë jep më shumë” – ka deklaruar ai.
“Unë nuk mendoj që është konflikt interesi, se kjo është diçka që është nga trashëgimia kulturore, nuk e kam parë që është, se unë për qejf ato si mbaj hiç për mos me u bë shuarja e këtij eventi, kësaj tradite…” – ka thënë Çekaj.
Zyrtari i pestë i komunës në Deçan që përfitoi subvencione gjatë vitit 2024 ishte Mustafë Ramaj nga OJQ “Dervish Shaqa”. Ai përfitoi 1 mijë euro.
Ramaj ka thënë që nuk e sheh konflikt interesi përfitimin e subvencioneve, ani se është punëtor i Komunës së Deçanit.
“Jo, kjo shoqatë joqeveritare është more zotëri, këtë e merr krejt Kosova jo veç unë… O zotëri unë jam edhe para pensionit edhe dy muaj a tre edhe dal…Ja, në vazhdimësi jo, veç nja dy herë, ma shumë jo, dy herë a tri, a më shumë jo” – ka deklaruar ai.
Miftar Januzaj me OJQ-në “Etno Kastrioti” përfitoi 2 mijë euro subvencione. Januzaj punonin në recepsion në Komunën e Deçanit.
“Kam me muros muzeun, kam me veshë në guri…se ai është muze, nëse kam… du me ia nis se ajo kushton 100 mijë euro. Dëgjo, unë nuk jam kah shoh konflikt interesi, a din pse? Se e kam të regjistruar OJQ-në” – ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Deçanit ka thënë që nuk e din nëse është konflikt interesi kur zyrtarët komunalë përfitojnë subvencione nga vetë komuna.
“Nuk e di a është konflikt interesi dhe nuk besoj. Po ndihem mirë që këta njerëz që i kanë marrë këto subvencione sepse e di çfarë pune bëjnë. Tepër të rëndësishme” – ka thënë Bashkim Ramosaj në “Jeta në Komunë”.
“Është një komision i komunës, ne jashtëtokësor nuk mundemi me i pru me i fut në komisione as me pru jashtëtokësor me apliku” – ka thënë tutje ai.