Është inauguruar objekti i konsullatës së Kosovës në kryeqendrën e Këshillit të Europës, në Strasburg të Francës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se objekti i ri i konsullatës ka një një sipërfaqe prej 350 m² dhe është i vendosur në një zonë strategjike ngjitur me qendrën historike të qytetit, prapa katedrales së njohur “Saint Paul”.
Sipas Ministrisë, objekti i konsullatës së Kosovës është i vendosur “në mes të aleatëve më të fortë të Kosovës, misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Gjermanisë”.
Inaugurimi u bë në prani të ministres së Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadorit Lulzim Hiseni dhe ambasadorëve e konsujve të shumë shteteve anëtare të Këshillit të Europës, eurodeputetëve dhe miqve të shumtë të Kosovës, njofton MPJD.
Ministrja Gërvalla para të pranishmëve të shumtë tha se tani, në Strasburg, flasim për standardet demokratike, për sundimin e ligjit, për të drejtat e njeriut dhe jam e lumtur që sërish këtë vit, të gjitha institucionet ndërkombëtare të besueshme e kanë konfirmuar Kosovën si kampion të demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajonin tonë, shkruan MPJD.
Ambasadori Lulzim Hiseni tha se blerja e kësaj prone të mrekullueshme në zemër të Strasburgut, kryeqyteti evropian, simbol i paqes dhe pajtimit, tregon përkushtimin e Kosovës për të qenë thellësisht e rrënjosur në vlerat evropiane.
“Ceremoninë e madhështuan me përformancat e tyre artistët nga Kosova, Visar Kuçi në violinë dhe Lirika Pula në piano si dhe u ekspozuan pikturat e piktores nga Kosova, Marigona Ademi e cila mbajti ekspozitën e saj në hapësirat e Këshillit të Evropës, gjatë muajit maj të këtij viti”- shkruan në komunikatë.
Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti ka treguar se janë në proces të blerjes të ambasadave edhe në për objektet e ambasadave në Itali, Turqi, Francë, Gjermani dhe Kanada.
Më 24.05.2024 Kosova ka përuruar pronën e saj shtetërore në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht objektin ku është e vendosur ambasada e Kosovës.
Në buxhetin për vitin 2024, Qeveria e Kosovës nuk kishte planifikuar ndarjen e mjeteve të reja për blerjen e objekteve për nevoja të ambasadave në vendet e jashtme, por vetëm ka bartur miliona nga buxhetit i vitit të kaluar.
Sipas projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2024, për blerjen e ambasadave ishin planifikuar të shpenzohen 10 milionë e 125 mijë euro, të gjitha këto mjete janë të bartura nga viti 2023.