Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka fajësuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se ndihmoi nisjen e luftës së vendit të tij me Rusinë, një koment që sugjeron edhe më tej se Trumpi do ta ndryshonte radikalisht politikën e jashtme amerikane ndaj Rusisë nëse i fiton zgjedhjet e 5 nëntorit, raporton Reuters.
Ish-presidenti republikan shpesh e ka kritikuar Zelenskyn në kohën e fushatës zgjedhore amerikane, duke e quajtur atë “tregtarin më të madh në Tokë”, meqë ia ka dalë të marrë miliarda dollarë ndihma prej ushtrisë amerikane prej nisjes së luftës në shkurtin e vitit 2022.
Trumpi e ka qortuar liderin ukrainas edhe për dështim të arritjes së një ujdie paqësore me Moskën, dhe ka sugjeruar se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë prej një hise të territorit në favor të Rusisë për të arritur paqen, një koncesion që Kievi e konsideron të papranueshëm.
Komentet e Trumpit në podkastin PBD me Patrick Bet-Davidin kanë shkuar përtej kritikave të mëhershme. Ai ka thënë se Zelensky nuk e ka fajin vetëm për dështim të ndaljes së luftës, por edhe për ndihmën që dha për nisjen e saj, megjithëse konflikti shpërtheu kur Rusia pushtoi territorin sovran të Ukrainës.
“Kjo nuk do të thotë se unë nuk dua ta ndihmoj atë, sepse më vjen shumë keq për ata njerëz. Por ai kurrë nuk është dashur të lejonte që lufta të shpërthente”, ka thënë Trumpi.
Zelensky tashmë ua ka paraqitur aleatëve perëndimorë atë që e ka quajtur “plan i fitores. Madje e ka takuar edhe Trumpin. Dy liderët e kanë përshkruar takimin si miqësor.
Komentet e Trumpit sugjerojnë se ai mund ta ndalë ndihmën amerikane nëse e mposht rivalen demokrate, Kamala Harris, në zgjedhjet e 5 nëntorit. Trumpi vazhdimisht ka thënë se do ta përfundonte luftën në Ukrainë ende pa e marrë presidencën eventuale në janar të vitit të ardhshëm, por nuk ka treguar sesi.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com