RRUFE

Kurti flet me Scholzin për pamundësinë e fluturimeve nga Kosova nëpër hapësirën ajrore të Serbisë

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media pas Samitit të Berlinit, ka folur për kërkesat që i ka paraqitur Kosova në këtë samit.

“Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që Republikës së Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese e të padrejta, t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje, që më shumë përgjegjësi e durim e disiplinë do t’i përmbushim, për shkak se as nuk kemi e as nuk duam të kemi alternativë ndaj BE-së”- ka thënë ai.

Kurti tha se në takimin bilateral me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka pasur edhe kërkesa konkrete.

Ai tha se kanë folur për çështjen e avionëve që aterojnë dhe nisen nga aeroporti i Prishtinës e që nuk mund të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë.

“Kemi bërë kërkesa më konkrete, siç është ajo që avionët që aterojnë ose nisen nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, nuk mund të kalojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet nga intervenimi i NATO-s, që na shpëtoi nga gjenocidi i Millosheviqit dhe kjo shkakton kosto për kompanitë, udhëtarët dhe ndotje të ambientit”- ka thënë Kurti.

Para liderëve të tjerë në Samitin e Berlinit, Kurti ka thënë se ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit të Bashkimit Europian.

Kështu e ka përmbyllur fjalën e tij para liderëve të pranishëm në Samitin e Berlinit, duke përmendur që pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE.

“Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit”- ka thënë ai, duke shtuar se në 3.5 vjetët e fundit, Kosova ka shënuar “rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë”.

https://kallxo.com/lajm/kurti-ne-samitin-e-berlinit-kerkon-qe-kosoves-ti-jepet-statusi-i-kandidatit-per-be/

Gjatë Samitit të Berlinit gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar, ndër të tjera, një plan të ri të veprimit për tregun e përbashkët rajonal (CRM) për periudhën 2025-2028, dhe një marrëveshje të re të mobilitetit, që mundëson qasje të barabartë për studentët e rajonit në institucione të akredituara të arsimit të lartë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se një shembull që dëshmon se kanë kontribuuar në lehtësimin e jetës së njerëzve në Ballkanin Perëndimor është Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal që sapo është nënshkruar.

“Në të, gjashtë shtetet bien dakord për një bashkëpunim ekonomik edhe më të ngushtë për një hapësirë ekonomike që përfshin 17 milionë banorë”- tha Scholz në konferencë për media pas përfundimit të Samitit të Berlinit më 14.10.2024.

Scholz tha me këtë plan do të koordinohen edhe më mirë standardet sociale dhe të punës midis vendeve të rajonit dhe për të lehtësuar më tej mobilitetin midis shteteve.

Ndërsa për marrëveshjen tjetër për mobilitetin për promovimin e shkëmbimit të studentëve, Scholz tha se kjo marrëveshje përcakton që studentët të mund të ndjekin universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë në të gjithë rajonin.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.


Postuar

nga