Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mirëpritur Zëvendësndihmës Sekretarin e shtetit amerikan, Alexander Kasanof.
“Ndihem i nderuar që jam në Kosovë” – tha Kasanof në fillim të takimit që më pas u mbyll për media.
Kasanof pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti në orën 17:15.
Pas takimeve të ndara nuk pritet të mbahet konferencë për media.

Kasanof po qëndron për herë të parë në Kosovë prej kur u emërua zëvendësndihmës i sekretarit për Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit më 19.07.2024.
Kasanof ishte takuar me dy prijësit e Kosovës gjatë muajit tetor gjatë takimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Kurti në një konferencë për media më 09.10.2024, tha se do të zhvillojnë takime me të dërguarin amerikan Kasanof, më të cilin besojnë të vazhdojnë bashkëpunimin njësoj si me pararendësin e tij Gabriel Escobar.
“Se çfarë do të mund të presim prej tij, besoj që duhet të kemi një durim prej 24 orësh”- tha Kurti në konferencë për media më 09.10.2024.
Kasanof të mërkurën më 09.10.2024 është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë qëndrimit të tij në Beograd.
Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ai shtoi se për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”.
Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.