RRUFE

U raportua se zv/ministri Tafarshiku shkaktoi aksident në gjendje të dehur, Kurti pret hetimin nga organet e rendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për aksidentin në Gjakovë, për të cilin disa media kanë raportuar se ka qenë i përfshirë zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku dhe se ai ka goditur me veturë zyrtare një motoçiklist, përderisa ka qenë i dehur.

Kurti shprehu keqardhje për aksidentin e tha se beson që njësoj ndihet edhe zëvendësministri, duke konfirmuar kështu përfshirjen e tij në aksident.

I pyetur se a do të marrë ndonjë vendim nëse konfirmohen të dhënat, ai tha se presin që institucionet përkatëse të hetojnë rastin.

“Sa i përket aksidentit që ka ndodhur, janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit tonë, të cilat hetojnë e hulumtojnë dhe natyrisht procedura vazhdon” – tha Kurti në konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë më 09.10.2024.

“Mua më vjen jashtëzakonisht keq çfarë ka ndodhur. Besoj që njëjtë ndihet edhe zëvendësministri dhe shumë shpejt do të mund të merren hapat në vijim, por na duhet njëherë që të jemi të përqendruar te i lënduari dhe te lejimi i organeve të rendit që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale” – shtoi ai.

Aksidenti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, por nuk ka folur rreth përfshirjes apo jo të zëvendësministrit.

Elezaj tha se një aksident mes një veture dhe një motoçiklete ka ndodhur më 08.10.2024, rreth orës 22 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.

“Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt” – tha Elezaj.

KALLXO.com është munduar që të marrë përgjigje edhe prej zëvendësministrit Tafarshiku dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

 

 


Postuar

nga