RRUFE

Maqedonci: Për 9 vjet, 10 herë janë nënshkruar kontrata emergjente për ushqim të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se që nga viti 2015 e deri më tani për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata emergjente për ushqim për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Me situatë të njëjtë, ku kontrata për ushqim për FSK-në përfundoi, kjo Ministri u përball edhe gjatë këtij muaji.

Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Për këtë çështje, e edhe të tjera probleme me të cilat po përballet FSK-ja, sot (08.10.2024) është ka raportuar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ministri Ejup Maqedonci.

“Për dy pikat specifike- te shërbimi dhe furnizimi me ushqim, aktualisht jemi në koordinim edhe në punë e sipër për të zgjidhur çështjen e ushqimit” – tha Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes tha se kontrata aktuale është subjekt i trajtimit nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministri. Sipas tij, sapo të përfundoj ky kontroll do të kenë informacione shtesë.

“Fokusi ynë është që të ndërtojmë një koncept të ri që do të garantojë vetqëndrueshmëri me ushqim për FSK-në dhe do të jetë koncept që do të praktikohet në vazhdimësi” – tha Maqedonci.

Madje, sipas tij, arsyet pse kanë ardhur deri këtu është për shkak të tejzgjatjes në aspektin e viteve të problemit të furnizimit të qëndrueshëm me ushqim për FSK-në.

“Nga 2015 deri në 2024 për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata emergjente për çështjen e ushqimit” – tha Maqedonci.

Ai shtoi se ky problem ka bërë që të shikojnë që të vijnë në përfundim që duhet një zgjidhje afatgjate për ushqim.

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një deklaratë me 01.10.2024 lidhur me çështjen e ushqimit që është duke u shërbyer pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministria ka deklaruar se të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së “janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër.”

“Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës” – tha Ministria.

Tutje u tha se kështu do të veprohet për një periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.

“Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinierëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kamotshëm” – u theksua në njoftimin e Ministrisë.

Kurse kompania “Beni Dona” përmes një komunikate për media ka thënë se është zotuar te Ministria e Mbrojtjes për ofrimin e ushqimit për ushtarët e Kosovës nëpër kazermat e FSK-së, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ushqim.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Por Liridona Gashi, këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pati thënë se nuk e kanë pranuar një zotim të tillë. Sipas saj, kuzhinat nëpër kazermat e FSK-së, po funksiononin normalisht, pas huazimit të kuzhiniereve nga Qendra e Studentëve dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

https://kallxo.com/lajm/ceshtja-e-shujtave-per-ushtaret-ministria-e-mbrojtjes-del-me-deklarate/


Postuar

nga