Partitë opozitare po insistojnë se partia në pushtet e ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe sipas tyre do të jetë e vështirë që të kalohen projektligjet që janë në agjendë. Ndërkohë, opozitarët rikonfirmojnë se do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri thotë se sesioni vjeshtor nuk po arrin të fillojë, “për shkak të mungesës së numrave nga mazhoranca”. Ai paralajmëron se PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, por jo edhe projektligjet për të cilat kërkohet shumica e thjeshtë, ngase kjo është “përgjegjësi e mazhorancës”.
“Tash e dy seanca, sesioni vjeshtor nuk po arrin të fillojë në Kuvendin e Kosovës, për shkak të mungesës së numrave nga mazhoranca. Qëndrimet e PDK-së sa i përket pikave, janë të njëjta: ne do i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare mirëpo në projektligjet që kërkohet shumicë e thjeshtë, pra prej 61 deputetëve, normalisht që nuk marrim pjesë se kjo është përgjegjësi e mazhorancës. Por, fatkeqësisht po shihet se do jetë e vështirë që të kalohen këto projektligje sepse duhet se ka një shthurje brenda grupit të LVV-së sa i përket numrave dhe shumicës së tyre brenda Kuvendit”- ka deklaruar Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë më 07.10.2024.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, u shpreh se “problemet” e kësaj legjislature po vazhdojnë dhe sipas tij do të jetë e vështirë që të miratohen ligjet. Edhe ai ka rikonfirmuar qëndrimin e LDK-së se do të marrin pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Po shkojmë drejt fundit të legjislaturës dhe si duket problemet e kësaj legjislature dhe shumicës parlamentare vazhdojnë. Do të jetë e vështirë që të miratohen ligje gjatë kësaj legjislature, por si parti opozitare jemi në funksion të interesave të qytetarëve. LDK e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por si duket shumica parlamentare është humbur dhe problemet vazhdojnë”- është shprehur ai.
Deputeti i LDK-së thotë se “një qeverisje e tillë nuk i duhet vendit”, teksa shtoi se qytetarëve u mbetet të vendosin në ditën e zgjedhjeve se çfarë qeverisje do të kenë.
“Vazhdojmë të jemi në një situatë të paaftësisë qeverisëse dhe korrupsionit galopant dhe po ashtu vazhdojmë të kemi probleme në aspektin e përfaqësimit ndërkombëtarë. Një qeverisje e tillë nuk i duhet vendit, por tashmë po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe qytetarëve u mbetet të vendosin se çfarë qeverisje do të kenë dhe çfarë qeverisje e duan”- ka thënë Gashi.
Ndërkohë, edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka insistuar se pozita e ka “humbur shumicën parlamentare në Kuvend”.
“Po shifet se kjo mazhorancë veç e ka humbë shumicën parlamentare në Kuvend sepse kemi dy javë që janë mbajtë seanca, një javë kemi pauzu. Sot u caktu përsëri që do të vazhdohet dhe të procedohet me vazhdimin e seancës dhe jo caktimin e një seancë të re dhe po kërkohet ndihma e opozitës sidomos për marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa këta nuk janë në gjendje me siguru as shumicën e thjeshtë me të cilën janë mburrë”- është shprehur Kadriaj.
“Kemi të bëjmë me një qeveri jo transparente, me një qeveri arrogante duke menduar se e ka shumicën dhe në fakt jemi pa rezultate”- shton ajo.
Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila, si shefe e GP të LVV-së, paraprakisht shprehu domosdoshmërinë e përmbylljes së 54 projektligjeve që janë mes dy leximesh, në këtë legjislaturë. Ajo theksoi se e kanë shumicën parlamentare me 62 deputetë së bashku me 8 deputetët e grupit Multietnik, edhe pas largimit të dy deputetëve, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica.
https://kallxo.com/lajm/kusari-lila-e-domosdoshme-qe-54-projektligjet-e-mbetura-te-permbyllen-ne-kete-legjislature/