Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se rritja e pensioneve dhe pagave në kohë të fushatës elektorale, sipas saj, është tentativë për për të blerë vota dhe skemë e korrupsionit publik.
Reagimi i saj vjen pas vendimit të qeverisë më 07.10.2024 për rritjen prej 20 për qind të pensioneve për disa skema pensionale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë rritur pensionet prej 20 për qind për pensionin bazik, kontributdhënësit, personat me aftësi të kufizuara, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë e personat e verbër, invalidor i punës dhe për ish-punëtorët e Trepçës
Përmes një shkrimi në Facebook, deputetja Bajrami tha se nëse qeveria do të brengosej për qytetarët, sipas saj, pensionet dhe pagat do t’i indeksonin për normën e inflacionit që në vitin 2022.
“Nëse Albini Kurti e Hekuran Murati do të brengoseshin për qytetarë, ata pensionet dhe pagat do t’i indeksonin për normën e inflacionit që në vitin 2022, por kjo nuk ndodhi sepse atëherë nuk kishte zgjedhje. Rritja e pensioneve sot 20%, nuk është e mjaftushme sepse vetëm norma e inflacoionit që ka ndodhë gjatë qeverisë Kurti është 22%” – ka shkruar deputetja Bajrami.
Me këtë rritje pensioni bazik i moshës nga 100 do të bëhet 120 euro. Për këto kategori do të rriten pensionet në fund të këtij muaji. Sipas Kurtit, nga kjo rritje do të përfitojnë 304,016 mijë pensionistë. Ndërsa nga muaji janar 2025 do të rriten pensionet për 20% për kategoritë e dala nga lufta.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është marrë pak kohë para zgjedhjeve të rregullta parlamentare, që do të mbahen më 09.02.2025.
https://kallxo.com/lajm/pensionet-rriten-para-zgjedhjeve/