Çmimet e shërbimeve shëndetësore në sistemin publik do të ndryshohen së shpejti dhe do të jenë shumë më të ulëta, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kjo pritet të bëhet përmes ndryshimit të Udhëzimit Administrativ për mbledhje të bashkëpagesave në shëndetësi që përcakton këto çmime, e i cili daton prej vitit 2007.
Për ndryshimin e çmimores, ministri Vitia foli në Komisionin parlamentar për Shëndetësi, më 04.10.2024, pasi që deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e përballi atë me faktin se në Qendrën Klinike Stomatologjike janë vendosur vetëm dy implante dentare, pasi që ky shëbrim u ritkhye në sektorin publik në janar të këtij viti.
Kjo sipas Vitisë ka ndodhur për shkak të çmimit të lartë të shërbimit, për të cilën KALLXO.com kishte raportuar më 29.08.2024.
“Sa i përket pjesës së stomatologjisë. Po janë vetëm dy implante, keni plotësisht të drejtë. Arsyeja sepse pasi që i kemi bërë këto investime, kanë qenë ankesat edhe nga pacientët natyrisht edhe nga disa mjekë e infermierë të ndërgjegjshëm brenda Qendrës Klinike Stomatologjike që çmimet janë të larta dhe menjëherë kemi formu grupin punues dhe është para finalizimit udhëzimi me çmimoren e re ku çmimet janë 5 herë deri në 10 herë, disa deri në 20 herë e disa janë edhe falas për këto shërbime” – tha Vitia duke iu drejtuar Zemajt.
“Sapo të hyjë në fuqi kjo çmimore do ta shihni edhe vetë për fluksin dhe numrin e pacientëve që do t’i kërkojnë këto shërbime” – shtoi ai.
Se janë në përfundim të këtij udhëzimi administrativ, Vitia kishte thënë edhe një muaj më parë kur ishte pyetur nga KALLXO.com për çmimin e vendosjes së implantit, të cilin ai e Kryeminisitri Albin Kurti e patën promovuar si të përballueshëm.
Çmimi për vendosjen e një implanti në Qendrën Stomatologjike është 400 euro. Çmim të ngjashëm, e me raste edhe më të ulët ofrojnë edhe ordinancat private.
KALLXO.com ka pyetur disa ordinance private në qytete të ndryshme të Kosovës për çmimin e vendosjes së një implanti. Përgjigjet variojnë nga 350 në 450 euro.
Drejtori i Stomatologjisë, Kastriot Meqa pati thënë se kanë kërkesa së paku 1 deri në 2 pacientë në javë për vendosje të implanteve, shërbim i rikthyer në sektorin publik pas 15 vitesh.
“Arsyeja qe nuk janë vendosur më shumë implante edhe pse ka kërkesa, mund të jetë për shkak të çmimit, por ndodh edhe për shkak të planit të mjekimit që ndonjëherë nuk iu përshtatet pacienteve” – kishte thënë Meqa në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, më 21.08.2024.
Ai pati shtuar se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë ndryshimin e çmimores por nuk kishin marrë ende përgjigje.