Mospërfundimi i strategjisë dhe i ligjeve për shëndetësinë, moszbatimi i Ligjit për Çmimet e Barnave, ikja e profesionistëve shëndetësorë si dhe keqpërdorimi me barna e investime ishin disa prej akuzave më të cilat u përball ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në Komisionin parlamentar për shëndetësi, të premten më 04.10.2024.
“Me punu 4 vite pa strategji, pa miratim të ligjeve bazike, e me thanë që këto kemi me i bo në mandatin e ardhshëm, jo vetëm që është tallje me qytetarët por edhe pranim i dështimit të atyre që i keni shkruar vetë në letër” – tha deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Pasi që Ministri përmendi për një orë rresht investimet në infrastrukturë e aparatura dhe ligjet e projektligjet e kaluara, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se ky raportim i Vitisë është kontradiktor nga ajo çfarë kanë dëgjuar në fillim të mandatit të tij.
Për zgjatjen e këtyre proceseve, ministri Vitia u arsyetua duke thënë se nuk dëshiron që të bëjë ligje e projekte pa analizë të thuktë, e pa u siguruar që janë të zbatueshme dhe se dy vitet e para të mandatit kanë qenë vite pandemike andaj edhe kanë ndryshuar prioritetet.
“Prej kur e mbaj mend plot raftat në Ministri janë me strategji, për të cilat kurrë asnjë gjysmë hapi s’është bërë në realizimin e tyre. Nuk do të bëj strategji sa për të thënë që e kam bë një strategji a ligj, qysh e keni bërë ju, pa u siguri që ka zbatueshmëri në terren” – u përgjigj Vitia.
I pyetur për Ligjin për Çmimet e Barnave, Vitia pranoi se ka pasur tendenca për mos zbatimin e tij nga grupe të interesit siç janë kompanitë farmaceutike, por tha se e ka bërë të ditur që ky ligj do të implementohet pa kthim prapa.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj pyeti ministrin se a është i kënaqur me gjendjen në shëndetësi. Ai po ashtu tha se kur e dëgjon Vitinë duke folur për shëndetësinë i duket sikur po flet për dy botë të ndryshme, krahasuar me gjendjen reale.
Ministri tha se kjo varet nëse e sheh gotën gjysmë plot apo gjysmë bosh.
Lidhur me gjendjen e shëndetësisë, ministri u përgjigj se ka ende shumë probleme, që nuk mund të zgjidhen brenda këtij mandati. Por, shtoi se qëllimi i tij ka qenë që disa procese t’i fusë në binar, në mënyrë që ato të mos kthehen prapa, e sipas tij, ai ka arritur që ta bëjë këtë gjë.
Zemaj përmendi edhe mosaprovimin e raportit të punës së Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) nga Bordi i tij për shkak të performancës së dobët.
“Bordi nuk e ka aprovuar raportin e punës për shkak të performancës dhe ngecjes, ndërsa shumicën e temave ju i paraqitët si sukses. Nuk pe di a jeni duke na mashtru ata juve a ju neve” – tha ai.
Debat i ashpër u zhvillua edhe lidhur me Ligjin për Sigurimet Shëndetësore dhe mos zbatimin e tyre.
Armend Zemaj tha se ligji i ri nuk ka shumë dallim nga ai i vjetri, por ministri nuk u pajtua me këtë konstatim, duke thënë se ligji i vjetër ka pasur shumë mangësi.
“Kjo (zbatimi i sigurimeve shëndetësore) ka qenë ëndërr e çdo ministri se qysh me e bo. Po të ishte aq e lehtë nga viti 2014 kur ka hy në fuqi (ligji i vjetër), secila qeveri që ka qenë e kish funksionalizu, mirëpo ligji ka qenë i mangët” – tha ai.
Deputeti Dreshaj tha se sikurse me ligj të ri sikurse më të vjetrin, për t’u zbatuar sigurimet duhet të plotësohen parakushtet sic janë, sigurimi i objekteve për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në Prishtinë e në rajone, punësimi i stafit të ri, trajnimi i tyre, hartimi i pakos bazike e krijimi i infrastrukturës.
Për krejt këto, Dreshaj i tha Vitisë se nuk ia ka pamundësuar ligji i vjetër që t’i bëjë.
Vetë ministri u pajtua se me gjendjen aktuale, nuk mund të zbatohen sigurimet shëndetësore, sepse dështojnë.
“Qysh kishim me i thanë qytetarit që me këto kushte që i kemi, që prej muajit tjetër apo prej 1 janarit duhesh me pagu 7%. Nuk mundesh se dështon” – shtoi ai.
Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u votua nga Qeveria më 28.08.2024 për t’u proceduar në Kuvend.