Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore po interviston ish-ministrat e Arsimit dhe të Financave. Deri tani janë intervistuar Hykmete Bajrami dhe Shyqeri Bytyçi.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami deklaroi se gjatë kohës sa ka qenë ministre është marr me mësim online, derisa nxënësit veçse kanë qenë të furnizuar me libra.
“Prej 4 shkurt deri më 4 qershor 2020 kam qenë ministre e Arsimit. Gjatë kësaj periudhe jam marrë me mësimin online. Nuk më kujtohet se kanë qenë planifikimet për libra. Gjatë periudhës time nuk ka qenë kohë më u furnizu, sepse une veç i kam gjetur nxënësit të furnizuar. Nuk ka pas as mungesë të librave, as raportime për vonesa”- ka deklaruar Bajrami.
Tutje ajo shtoi se prej muajit shkurt deri në qershor nuk shpërndahen libra.
“Ato [librat] shpërndahen më 1 shtator. Kur e kam marrë mandatin, fëmijët i kanë pas librat dhe nuk ka pas çështje të tilla”- shtoi Bajrami.
Sipas saj, ankesat në atë kohë kanë qenë për mbyllje të librarive për shkak të pandemisë.
“Në atë kohë prindërit ankoheshin që fëmijët po mbesin pa material shkollor për shkak të mbylljes së librarive dhe marketeve të mëdha për shkak të kufizimeve në kohë pandemie. Por, për mungesë të librave asnjëherë gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur ankesa”- tha Bajrami.
Ndërsa, Shyqyri Bytyçi, ish ministër i Arsimit tha se kanë bërë blerje të librave sipas praktikave më të mira që kanë qenë në atë kohë.
“Nuk ka të bëjë me vendime individuale të një ministri. Nuk kemi bërë subvencionim, por blerje të librave sipas praktikave më të mira që kanë qenë në atë kohë. Si procedura- nëse flasim, është formuar komisioni i cili paraprakisht ka marrë informacione nga drejtoritë e arsimit për numrin e nxënësve për secilën shkollë, dhe pastaj mbi numrin e listave janë ftuar dy shtëpitë botuese në atë kohë dhe është negociuar për blerjen e librave”- ka thënë Bytyçi para komisionit.
Sipas tij, kjo ka qenë një praktikë e mirë për blerjen e mjeteve mësimore.
“Nuk kam informacione që në kohën kur kam qenë unë kemi dërguar libra më shumë. Gabime teknike ka mundur të ketë”- shtoi më tej Bytyçi.
Në intervistim janë ftuar edhe: Ramë Likaj, Arsim Bajrami, Ramë Buja, Enver Hoxhaj, Bedri Hamza, Besim Beqaj dhe Avdullah Hoti.
Gjatë këtyre dy viteve të fundit, në vend të furnizmit të shkollave me libra, Qeveria ka subvencionuar prindërit me të holla, të cilët më pas kanë blerë materialin shkollor për nxënësit e shkollave filllore.
https://kallxo.com/lajm/mbi-20-milione-euro-buxhet-i-ndare-per-subvencionimin-e-librave-dhe-mjeteve-mesimore-per-vitin-shkollor-2024-2025/