RRUFE

Çështja e shujtave për ushtarët, Ministria e Mbrojtjes del me deklaratë

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një deklaratë lidhur me çështjen e ushqimit që është duke u shërbyer pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministria ka deklaruar se të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së “janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër.”

“Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës” – tha ministria.

Tutje u tha se kështu do të veprohet për një periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.

“Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinierëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kamotshëm” – theksoi Ministria.

Kurse kompania “Beni Dona” përmes një komunikate për media ka thënë se është zotuar te Ministria e Mbrojtjes për ofrimin e ushqimit për ushtarët e Kosovës nëpër kazermat e FSK-së, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ushqim.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Por Liridona Gashi, këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se nuk e kanë pranuar një zotim të tillë. Sipas saj, sot kuzhinat nëpër kazermat e FSK-së janë duke funksionuar normalisht, pas huazimit të kuzhiniereve nga Qendra e Studentëve dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

https://kallxo.com/lajm/kompania-qe-ka-pergatitur-ushqim-per-fsk-ne-zotohet-per-ofrim-te-sherbimit-deri-ne-zgjidhjen-e-problemit/


Postuar

nga