Në programin zgjedhor të LDK-së është paraparë ndërtimi i një centrali me gaz, kostoja e të cilit parashihet të jetë rreth 500 milionë euro.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Alban Zogaj, tha se për ndërtimin e këtij centrali tashmë i kanë nisur komunikimet me kompanitë amerikane.
“Ne veçse i kemi filluar linjat e para të komunikimit me kompani të mëdha amerikane të cilat do të investojnë në Centralin me gaz, 500 MW, 500 milionë euro”- tha Zogaj në “Debat Përnime”, më 31.01.2025.
Mjetet për ndërtimin e këtij centrali, sipas tij, priten të sigurohen përmes Bankës Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar- me kredi afatgjate.
Me ardhjen e LDK-së në pushtet priten të merren hapa edhe për mbylljen e Termocentralit “Kosova A” dhe rindërtimin e Termocentralit “Kosova B”.
“Në projektin tonë e kemi mbylljen e ‘Kosovës A’ dhe rindërtimin e ‘Kosovës B’. Kurse rindërtimit të ‘Kosovës B’ me ia shtu edhe Centralin me gaz, plus me hap dritare të reja për energji të ripërtritshme në bashkëpunim me sektorin privat”- tha ai kur u pyet nëse janë “pro” ose “kundër” thirrjes së fundit të Korporatës Energjetike të Kosovës për rindërtimin e dy njësive të të termocentraleve.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:
https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-bujqesine-infrastrukturen-dhe-ambientin-aviokompani-central-me-gaz-dhe-mbeshtetje-per-bujqit/