13:04 – Tomë Dodaj dënohet me 5 vjet burgim për veprën penale: “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Tomë Dodaj shpallet fajtor për veprën penale: “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Dodaj u dënua me 5 vjet “dënim me burgim” dhe 5 mijë euro gjobë.
I akuzuari Dodaj dhe Prokuroria nuk kërkuan seancë dëgjimore për matjen e dënimit.
Tomë Dodaj, i akuzuar në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria. Gjykata ia ka aprovuar pranimin e fajësisë, pasi asnjëra nga palët në procedurë nuk kishte vërejtje, lidhur me këtë pranim të fajësisë për të pandehurin Dodaj.
12:30 – Gjykata e pranon pranimin e fajësisë nga Tomë Dodaj, i akuzuar në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, për veprën penale: “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Tomë Dodaj, i akuzuari tjetër në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.
“Në mënyrë vullnetare i fajshëm.” – u deklarua i akuzuari Tomë Dodaj.
Gjykata tutje ia aprovoi pranimin e fajësisë, pasi asnjëra nga palët në procedurë nuk kishte vërejtje, lidhur me këtë pranim të fajësisë për të pandehurin Dodaj.
“Pranohet pranimi i fajësisë nga i pandehuri Tomë Dodaj, për veprën penale: ‘importi-eksporti, furnizimi i paautorizuar i armëve’. Pasi që, Kryetarja e Trupit Gjykues ka konstatuar se i pandehuri e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë është bërë vullnetarisht, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij.”
Shpallja e Aktgjykimit për Tomë Dodajn, sipas Kryetares së Trupit Gjykues, Fatime Dërmaku do të bëhet pas 10 minutash.
12:17 – “Plotësisht i pafajshëm” – deklarohet Naim Murseli
I akuzuari në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj Naim Murseli është deklaruar ‘plotësisht i pafajshëm’ në pyetjen e Gjyqtares se a e ndjen veten fajtor apo jo fajtor.
I akuzuari Granit Plava e ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje.
I akuzuari tjetër Kushtrim Kokalla tha se nuk do që të deklarohet, pa u konsultuar me avokatin e tij.
11: 56 – Prokurorja Javorka Prlinçeviq fillon me leximin e Aktakuzës
Prokurorja Javorka Prlinçeviq ka filluar me leximin e Aktakuzës, pasi Kryetarja e Trupit Gjykues i njoftoi të akuzuarit me të drejtat e tyre në këtë rast penal.
11:53 – Avokati i Naim Murselit gjobitet me 500 euro për pengim të Kryetares së Trupit Gjykues gjatë seancës
Avokati i Naim Murselit, Shemsedin Piraj është gjobitur për pengim të Kryetares së Trupit Gjykues gjatë seancës.
“I njëjti vazhdon duke penguar Kryetaren e Trupit Gjykues që të udhëheqë këtë seancë, prandaj të njëjtit i shqiptohet ‘dënim me gjobë’ në shumën prej 500 eurosh”.
11:50 – Gjyqtarja i shqiptoi sërish vërejtje avokatit të të akuzuarit Kushtrim Kokalla
Gjyqtarja Fatime Dërmaku i ka shqiptuar vërejte me shkrim avokatit të Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj.
“Gjykata i shqipton vërejtje me shkrim Ndrecë Dodajt, pasi i njëjti po vazhdon me e pengu Gjyqtaren”.
Paraprakisht, avokati Dodaj udhëzoi Kushtrim Kokallën të thotë se nuk i ka kuptuar të drejtat që i takojnë, pasi Gjyqtarja ia numëroi të drejtat dhe detyrimet që i ka si i akuzuar.
11:45 – Avokati kërkon fjalën, Gjyqtarja konstaton se cd-të e testuara u hapën të gjitha
“IT i Gjykatës deri më tani ka provuar katër CD që Gjyqtarja është duke ia ofruar. Që të katërtat janë hapur dhe nuk ka pasur asnjë problem në hapjen e tyre.” – deklaroi Gjyqtarja.
Avokati Dodaj, pasi u verifikuan, kërkoi të marrë fjalën dhe i deklarohet Gjyqtares që ta lë të flas, në të kundërtën do ta lëshojë Sallën: “Mos më detyroni të përdori mekanizma të tjerë”.
I njëjti tha se nuk e di nëse në PC-të e tij kanë të njëjtin format, sikurse këta të Gjykatës – duke pretenduar se nuk u hapën disa prej CD-ve.
11:36 – Gjyqtarja urdhëroi IT-në e Gjykatës t’i verifikojë, nëse hapen CD-të
Avokati i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Ndrecë Dodaj deklaroi se ai nuk është i obliguar që përtej njohurive të tij të bëjë përpjekje që t’i hapë CD-të e pranuara nga Prokuroria.
“Ana teknike, unë nuk jam i obliguar me bo përpjekje jashtë njohurive të mia, lidhur me hapjen dhe shikimin e defekteve të CD-ve. Unë PC di me hap. Kam provu në dy PC-të e mi në Zyrë. Kam provu në kompjuterin e një kolegu, s’ka funksionu. Me bashkëpunëtorë i kam urdhëru, edhe kanë shku te ekspertët e fushës së IT. Edhe ata i kanë paraqit defektet që ekzistojnë në CD, që një numër i madh i fajllave nuk hapen. Disa hapen e nuk lexohen. Disa nuk janë të përkthyera nga Gjuha suedeze në shqip e do edhe nga anglishtja në shqip. Kjo nuk është hera e parë që ballafaqohemi me këtë.” – tha avokati Dodaj.
Gjyqtarja Fatime Dërmaku tha se “Po flasim për CD, për video-incizime. A e keni hap External Diskun? Në cilën datë saktësisht e keni marrë External Diskun?”.
Avokati Dodaj tha se “Unë nuk rri kujdestar para email-it, çka o t’u më ardhë. Deri në ora 4 nuk e hap fare kompjuterin. Pas orarit nuk i shikoj. Në ora 4 e deri në kohën e gjumit është kohë personale e imja”.
Gjyqtarja kërkoi nga Jeton Daka, IT i Gjykatës, t’i marrë CD-të nga avokati Ndrecë Dodaj dhe t’i verifikojë faktet, nëse të njëjtat hapen.
“Sepse Ligji na ndalon të procedohen prova në shqyrtimin fillestar. E tëra ajo që bëhet është të verifikohet, nëse qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit.” – tha Kryetarja e Trupit Gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku.
11:24 – Gjyqtarja Dërmaku: Avokati i Kushtrim Kokallës ka deklaruar se CD-të e pranuara nga Prokuroria nuk po u hapen
Kryetarja e Trupit Gjykues Fatime Dërmaku në nisje të seancës deklaroi se ka marrë një shkresë nga avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj.
“Kam marrë një shkresë nga mbrojtësi Ndrecë Dodaj, që mbron Kushtrim Kokallën. Ka thënë që ‘CD-të që i janë dorëzuar nuk hapen’, me një fjali thotë se ‘Nuk mund të deklarohemi’. Prandaj, për këtë si Kryetare e Trupit Gjykues e kam njoftu Prokuroren e Shtetit – lidhur me këtë shqetësim. Sot në mëngjes i kam provu ato CD, të njëjtat që na janë dorëzuar edhe neve në Gjykatë. Ato hapen. Për më tepër, janë pjesë e External Diskut që i janë dorëzuar Mbrojtjes. Sot kam kërkuar nga mbrojtësi në mëngjes përmes zyrtares sime ligjore, ku e ka kontaktuar avokatin Ndrecë Dodaj dhe ka kërkuar nga i njëjti që t’i marrë ato CD me vete dhe tani, lidhur me pretendimet e tij, Gjyqtarja tregon që ka pranu një shkresë nga Ndrecë Dodaj, që ka thënë se CD-të që i ka pranu nuk po i hapen dhe nuk mund të deklarohen”.
11:05 – Vrasja e Liridona Ademajt – Sot pritet të fillojë procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë
Më 31.01.2025 është caktuar data e nisjes së gjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj të akuzuarve: Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tomë Dodaj.
Kjo konsiderohet seanca e parë për këtë gjykim, në të cilin parashihet që të bëhet leximi i Aktakuzës dhe deklarimi se a ndjehen apo jo fajtor të akuzuarit, për veprat që rëndojnë mbi ta.
Më 27.01.2025 ishte paraparë të mbahet seanca e parë, por që kishte dështuar, pasi dy prej avokatëve ishin deklaruar se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës.
Katër persona tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje kjo e regjistruar, më 29.11.2023.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.
“E kishte mbajtur për krahu, në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit.” – kështu e përshkruan ngjarjen Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.
Prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – si përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.
Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.
Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit “Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës. Më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale: “vrasje e rëndë”.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa viktimës krahun po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.
Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.
I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.
Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E, i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, që planifikuan dhe kryen vrasjen.
Më 28.11.2023, në ora 19:41 – sipas të dhënave në Dosje të Prokurorisë – thuhet se Naim Murseli i ka dërguar mesazh Granit Plavës duke i thënë “Shok, sigurt kryhet nesër, a të ka thënë Kuqa që paradite?”.
Pas këtij mesazhi – sipas Prokurorisë – kanë vazhduar biseda me audio, një bisedë e tillë e regjistruar në telefonat e të akuzuarve ka ndodhur edhe më 29.11.2023, në ora 19:01, ku kishte pasur bisedë telefonike për 00:00:28 sekonda.
Raportimet e tjera: LINK.