Kandidati i LDK-së për deputet, Alban Zogaj, në emisionin ”Debat Përnime”, teksa ka shpalosur planet e partisë për zhvillimin e infrastrukturës në vend, ka përmendur edhe zgjerimin e kapaciteteve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Me zgjerimin e kapaciteteve të këtij aeroporti, sipas tij, do të rritet oferta dhe do të shtohet kërkesa nga pasagjerët. Një gjë e tillë, siç ka thënë ai, do të ndikojë edhe në uljen e çmimit të biletave për udhëtarët e këtij aeroporti.
“Prishtina është një prej aeroporteve me fluksin me të madh. Kjo nënkupton që ne duhet t’i zgjerojmë kapacitetet e aeroportit. Zgjerimi i kapaciteteve e rritë ofertën dhe kështu i zvogëlon çmimet e biletave sepse këtu flasim për kërkesë- ofertë”- tha Zogaj.
LDK në programin e saj për aviacionin ka paraparë edhe themelimin e një aviokompanie, që sipas Zogajt, do të ketë po ashtu ndikim në uljen e çmimeve të biletave për udhëtim.
“Gjithashtu ulja e çmimeve vjen edhe si rezultat i idesë tonë për ‘aviokompaninë kosovare’ e cila pastaj natyrisht që jep mundësi me lëviz me çmime edhe me ju ofru çmime më të mira”- tha ai.
Diskutimi u ngrit edhe rreth çështjes së monopolit për furnizim me karburant për aeroplanë e që rrjedhimisht ndikon që çmimet e biletave të jenë të larta.
Kandidati Zogaj për këtë tha se monopolet nuk duhet të ekzistojnë në ekonominë e tregut të lirë dhe se do të ketë analiza për raste të tilla.
“Në parim qasja jonë është që monopolet nuk duhet më ekzistu në ekonominë e tregut të lirë të Kosovës. Pastaj, kontratat duhet me i analizuar. Nëse një kontratë është nënshkruar dhe e ka një afat skadimi nuk mundet me ardhë një qeveri e re edhe me fillu tani me i rrënu krejt kontratat e reja. Andaj do t’i analizojmë kontratat, do të merremi me to dhe në qoftë se ka shkelje, i orientojmë kah organet përgjegjëse”- tha ai.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:
https://kallxo.com/gjate/planet-e-ldk-se-per-bujqesine-infrastrukturen-dhe-ambientin-aviokompani-central-me-gaz-dhe-mbeshtetje-per-bujqit/