Ballina

Gjenden kutitë e zeza të aeroplanit dhe të helikopterit të përplasur në Uashington

Janë gjetur kutitë e zeza të fluturimit komercial që u përplas me një helikopter ushtarak në Uashington DC, në kohën kur janë shtuar pyetjet në lidhje me personelin dhe thirrjet e tjera në Aeroportin ku po ulej avioni – raporton televizioni BBC.

Normalisht dy persona menaxhojnë kontrollin e trafikut ajror për helikopterët dhe aeroplanët që fluturojnë në zonë – një nga hapësirat ajrore më të kontrolluara në botë – por vetëm një person po e bënte këtë punë të mërkurën në momentin e rrëzimit – bëjnë të ditur burimet e cituara nga partneri amerikan i BBC-së, CBS News.

Zyrtarët po hetojnë shkakun e incidentit që la të vdekur 67 personat në bordin e dy avionëve.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka njoftuar se një Raport paraprak do të lëshohet brenda 30 ditëve.

Regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesi i zërit të Kabinës, i njohur si kutitë e zeza, mund të ndihmojnë me ofrimin e të dhënave për hetuesit për çfarë mund të ketë shkuar keq gjatë fluturimit.

Sipas NTSB-së natën e së enjtes vonë të dy kutitë u transportuan në një nga laboratorët e saj për vlerësim.

Në zhvillime të tjera të enjten, numri i personelit të kontrollit të trafikut ajror, i raportuar fillimisht nga “New York Times”, u spikat si “jo normal” – sipas një Raporti paraprak të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

Qeveria federale ka luftuar për vite për të plotësuar disa pozicione kyçe në FAA.

Lloji i personelit që kishte një punonjës të kontrollit të trafikut ajror që menaxhonte si helikopterët ashtu edhe avionët në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit “Regan” të mërkurën mbrëma raportohet se nuk ishte i pazakontë dhe se nuk kishte shkelur udhëzimet.

Zhytësit kaluan pjesën më të madhe të së enjtes duke notuar nëpër ujërat e ftohta të lumit Potomac – duke kërkuar trupat e viktimave.

Kërkimet u ndërprenë mbrëmjen e së enjtes për shkak të kushteve të rrezikshme.

Në bordin e fluturimit të “American Airlines” që u përplas me një helikopter ushtrie “Black Hawk” që ishte në një fluturim misioni stërvitor, kishte 64 pasagjerë. Në bordin e helikopterit ndërkaq ishin tre ushtarë.

Ekipet deri më tani kanë nxjerrë 27 trupa nga avioni dhe një nga helikopteri.

Në Konferencë në Shtëpinë e Bardhë të enjten presidenti Donald Trump filloi me një minutë heshtjeje dhe një lutje për viktimat.

Ai ka thënë se “ne mund të fillojmë vetëm të imagjinojmë agoninë që po ndjeni të gjithë” – duke shtuar se “zemrat tona janë copëtuar së bashku me tuajat”.

Trump spekuloi mbi shkakun e përplasjes, duke sugjeruar pa prova se standardet më të ulëta të punësimit për kontrollorët e trafikut ajror në FAA nën Administratat e mëparshme të drejtuara nga demokratët, mund të kenë qenë një faktor.

Më vonë të enjten, ai nënshkroi një Memorandum për t’i dhënë fund praktikave të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) në Sektorin e Aviacionit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com